Gecaj: Shpejtim Bulliqi, djallëzor e uzurpator

Një deklarate të deputetit të LDK-së, Shpejtim Bulliqi, se kjo parti po shkon drejt vetshkatërrimit, i është përgjigjur një zyrtar tjetër i LDK-së, Bajram Gecaj.

“Mu kjo parti po e toleron këtë shkatërrues djallëzor deri në pafundësi”, ka deklaruar Gecaj.

Ja postimi i tij i plotë:

PËR PROFETIN UZURPATOR

Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, na paska profetizuar sot se LDK-ja po shkon drejt vetshkatërrimit, pasi na qenka jotolerante.
Një prognozë e tillë destruktive shfaqet nga njeriu i cili, tash e tri vite, s’po lë gjë pa bërë e pa thënë për të rrënuar partinë që e beri deputet, e bëri të njohur, e bëri atë që pretendon të jetë “i LDK” – së. Mu kjo parti po e toleron këtë shkatërrues djallëzor deri në pafundësi.

Fundi i fundit, Bulliqi, i njohur për uzurpimin e pronës publike në Podujevë, me teori të tilla të pa argumentuara po arrin të uzurpojë edhe titujt e mediave, duke kundërshtuar pa asnjë parimsi morale apo etike çdo politikë që përkrahet nga partia e cila e nxori nga anonimiteti dhe e bëri deputet.

Bulliqi, me hartat e ushtrisë serbo-jugosllave nën sqetull, duke trumbetuar se ka zbuluar të vërtetën po përpiqet të bind popullin se vendimi i një komisioni shtetëror të Kosovës, i përkrahur pa ekuivokë nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Komisioni Ad-Hoc Ndërkombëtar, po ia humbka 8000 e kusur hektarë Kosovës.

Pra, sipas kësaj logjike, hartat e ushtrisë serbe na qenkan më të sakta për Kosovën sesa ato të ushtrisë amerikane, dhe kështu ne rrjedhimisht duhet besuar ushtrisë e cila na masakroi e jo asaj që na shpëtoi.

Me këtë përpjekje sa tragjikomike, të përkrahur fuqishëm nga opozita, ai në fakt po tenton t’i lërë qytetarët e Kosovës të izoluar dhe në huti me pamundësi lëvizjeje të lirë në Evropë, sepse ekspertiza e tij, e bazuar në hartat e ushtrisë serbo-jugosllave, qenka më e sakta e mundshme.

Gjithashtu, është deputeti donkishotian Bulliqi i cili, vetëm ditën në të cilën duhej të ndodhte votimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, njoftoi strukturat partiake se nuk do të vinte të votoj fare Presidentin e Republikës, sipas marrëveshjes paraprake të partisë së tij.

Në fakt, të gjitha këto veprime duket se çojnë ujë në mulli të huaj, pas që duket se prapa tërë kësaj fshihet përpjekja për të shkatërruar partinë që e bëri dikushi, dëshirë të cilën sot e paska profetizuar edhe publikisht.

Andaj, duke shprehur keqardhje për ngjarjen që ka ndodhur me zonjën Gërvalla-Schëarz, mund të them lirisht se LDK është partia më tolerante në vend, mos për asgjë tjetër, atëherë për të vetmen arsye sepse lejon në radhët e veta pikërisht njerëz si Bulliqi.

Ndërkaq, sa i përket demarkacionit, qytetarëve të Kosovës ju mbetet të përcaktohen ndërmjet hartave të Bulliqit (lexo ushtrisë serbo-jugosllave) dhe nxitësve të tij opozitar, apo qëndrimit të Qeverisë së Kosovës të përkrahur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, BE-ja, Komisioni Ad-Hoc Ndërkombëtarë, dy komisione tjera profesionale, si dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së pa asnjë votë kundër para dy ditësh.

E para ka për synim të rrënojë LDK-në e rrjedhimisht edhe Qeverinë, dhe të pamundësoj lëvizjen e lirë si dhe progresin në Kosovë.

E dyta sjell liberalizimin e vizave, fuqizimin e partneritetit me SHBA-të dhe vendet e BE-së, dhe hapë mundësi për suksese tjera të njëpasnjëshme, si ato që po i përjetojmë këtyre ditëve të bukura pranverore.

Temat
LajmeVend

Të afërta