Aferat kriminale që fshehu Berisha
Kartela e njeriut më të përfolur në Shqipëri në këto 26 vite, Sali Berishës është “e pastër” edhe pse mbi ‘të rëndojnë krimet më të rënda që ka njohur vendi.
Ai ka qeverisur vendin më shumë se çdo politikan tjetër, një herë si president dhe dy herë si kryeministër. Pavarësisht ngjarjeve që ka lënë pas, shpesh të shoqëruara dhe me jetë njerëzish, ai sërish nuk ka shënuar në formularin e vetëdeklarimit asnjë nga “njollat” e bëra gjatë qeverisjeve të tij. Ka shumë ngjarje që e skedojnë ish-presidentin e PD-së, Sali Berisha si “dirigjenti” i vetëm i trazirave që ka kaluar vendi.
Ja çka fshehu Berisha
Djegia e Shqipërisë në vitin 1997, për shkak të piramidave, sollën shkatërrimin e dhjetëra pronave publike, institucioneve të shtetit, pronave private, është krimi më i madh që ka bërë Berisha. Nga paaftësia e tij për të qeverisur, vendi shkoi në luftë civile, duke shkatërruar ushtrinë, policinë, dhe duke lejuar plaçkitjen e bankave, shkatërrimin e hipotekave, të arkivave, të zyrave të pushtetit lokal, vjedhjen e bankave dhe duke djegur Shqipërinë, me pasojë, 3 mijë shqiptarë të vrarë. Për këto ngjarje të rëndë, Berishës dhe ish-shtetarëve e pushtetit të tij nuk “iu fut asnjë gjemb në këmbë” nga drejtësia shqiptare. Për të gjithë këtë tragjedi që u “kurdis” prej tij e që solli 6 muaj rebelim gjithëpopullor në vitin 1997, ai nuk u ndëshkua nga drejtësia asnjëherë.
Ndërkohë në 29 qershor 1997, Berisha humbi zgjedhjet, duke dorëzuar edhe “çelësin” e presidencës, por ai nuk u dënua nga drejtësia për krimet e bëra. Ai madje as nuk u largua nga politika, por përkundrazi u vu aktivisht në krye të opozitës, për të vazhduar aktivitetin edhe sot që flasim, madje në vitin 2005 duke rimarrë e mbajtur pushtetin për 8 vite radhazi.
-Ish-presidenti Berisha nuk ka futur në formular akuzat e bëra nga familjarët e Remzi Hoxhës, të cilët e kanë akuzuar atë për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen fizike të biznesmenit shqiptar nga Maqedonia. Sipas familjarëve të Remzi Hoxhës, Berisha dhe banda e tij e “SHIK”-ut kanë mbrojtur dhe graduar ekzekutorët me poste të larta në pushtet.
-Një tjetër ngjarje për të cilën Berisha nuk u dënua dhe as nuk figurojnë në CV-në e tij zyrtare është dhe vrasja e dy ushtarakëve, plagosja e 20 banorëve dhe shkatërrimi i fshatit Dhemblan në Tepelenë, nga afera qeveritare e demontimit të municioneve.
-Berisha është përgjegjës dhe duhej ndjekur penalisht dhe për mbytjen e Otrantos, ku humbën jetën 118 shqiptarë, prej të cilëve 84 kanë mbetur në fund të detit, në 28 mars 1997, në përpjekje për të shpëtuar prej luftës civile. Akuza këto që nuk figurojnë në formularin e vetëdeklarimit.
-Një ngjarje tjetër e bujshme është dhe shkatërrimi i institucioneve në 14 Shtator 1998, pas sulmit të opozitës për të marrë pushtetin me dhunë, duke kthyer edhe PD-në për 1 muaj, repart tankesh e topash luftarakë. Dhe pse kjo është një vepër e madhe kriminale, Berisha për këtë nuk është dënuar.
-Në bashkëpunim me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, vrau 4 demonstrues e plagosi 40 të tjerë në 21 janar 2011, duke urdhëruar Gardën e Republikës për të qëlluar mbi popullin që kërkonte punë dhe bukë.
-Vrasja e 26 burrave, grave e fëmijëve dhe shkatërrimi i 3000 bizneseve nëpërmjet aferës kriminale të pushtetfamiljes së tij, organizuar në “fabrikën e vdekjes” në Gërdec, të ngritur prej mafies shtetërore për demontim e trafikim municionesh.
-Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit, rezulton si kontrollues i klanit të aferës kriminale vrasëse masive të Gërdecit dhe bashkëbisedues përcaktues në dëshminë e biznesmenit Kosta Trebicka, vrarë “në gjueti” pas publikimit të emrit të djalit të kryeministrit, si i përfshirë aktiv në këtë aferë kriminale.
Skandalet në vite të Berishës
-Berisha është akuzuar për lejimin e ngritjes së firmave piramidale, nëpërmjet të cilave u zhvati 3 milionë shqiptarëve financat personale, të siguruara nga shitja e pasurive dhe emigracioni, nëpërmjet parullës “Paratë janë të pastra, firmat janë banka zyrtare”.
-Ish-presidenti nuk ka futur në formularin e vetëdeklarimit, takimin me kryeterroristin dhe kryetrafikantin Arkan, i cili ka kryer krime dhe gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës dhe myslimanëve të Bosnjës. Berisha së bashku me Arkanin kontrolluan trafikun e armëve dhe të naftës. Eshtë vërtetuar tashmë se Berisha e theu embargon e OKB-së ndaj Serbisë për naftën. Kontrabanda e naftës dhe armëve me Jugosllavinë, ku furnizonte qeverinë e Milosheviçit, përbën një nga shkeljet më të rënda të shtetit shqiptar, përgjegjësinë për të cilën e mban ish-residenti Berisha.
-Bosi i skandaleve të krimeve ekonomike të Europës Damir Fazllic, trafikanti i parave të pista dhe armëve me vendet nën embargo ndërkombëtare, merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në krah të ish-kryeministrit Berisha, me statusin si anëtar i këtij këshilli.
-Ai është akuzuar se i ka mundësuar njerëzve të tij, realizimin e trafikut të armëve dhe municioneve me Libinë, duke furnizuar regjimin e Gedafit, mik ky i kryeministrit Berisha dhe Lulzim Bashës.
-Gjatë kohës sa ishte kryeministër, Berisha firmosi një marrëveshje të fshehtë me qeverinë italiane, për depozitimin e plehrave në territorin shqiptar, në shkëmbim të një afere të pisët financiare, të komanduar nga mafia italo-shqiptare e import-riciklimit të plehrave në Ballkan.
-Po ashtu gjatë mandatit të tij të dytë, nëpërmjet një marrëveshjeje me shtetin grek, Berisha i fali shtetit fqinj një sipërfaqe detare territoriale shqiptare, që u ndalua prej Gjykatës Kushtetuese. Të gjitha këto “krime” nuk figurojnë në formularin e vetëdeklarimit të publikuar në publik dy ditë më parë nga KQZ.
Nuk figuron as afera e Rrugës së Kombit
Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë ende çështje të hapura, madje nuk janë pak, por disa akuza për të cilat është kërkuar që të përballen. Mbi Lulzim Bashën peshon akuza e mbetur pezull e vrasjes së 4 qytetarëve të pafajshëm në 21 Janar, në mes të bulevardit, kur ai shërbente si Ministër i Brendshëm i Sali Berishës. Po kështu mbi Lulzim Bashën peshon akuza e mbetur pezull e grabitjes në bashkëpunim të qindra miliona eurove nga ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës. Basha është akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, për aferën e korrupsionit 230 milionë dollarë për rrugën Durrës-Kukës, skandal ky që ka mbetur ende i pazbardhur. Akuza e Bashës është aty sot e kësaj dite edhe për këtë megaskandal. Basha, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen nga pozicioni i ministrit, por i ndihmuar nga Berisha ka ngjitur shkallët e karrierës, duke u bërë në fillim kryetar i bashkisë së kryeqytetit dhe më pas kryetar i partisë.
KQZ-ja: Berisha rrezikon të humbasë mandatin
Sali Berisha ka ndërruar datëlindjen dhe kjo nuk figuron të jetë pasqyruar në deklarimin e tij në seksionin “gjeneralitete të mëparshme”. Berisha ka deklaruar datën e lindjes më 15 tetor 1944, ndërsa në regjistrimin zyrtar të gjendjes civile figuron si datë e lindjes 1 korrik 1944. Në vendimin e Kuvendit nr. 17/2016 për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, thuhet se formulari i vetëdeklarimit përbën dokument zyrtar dhe pasqyrimi i të dhënave të rreme në këtë formular përbën vepër penale dhe dënohet me burgim, sipas nenit 190 të Kodit Penal. Të dhënat e pasqyruara në ‘të i nënshtrohen një verifikimi të plotë dhe të gjithanshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, nga organet shtetërore dhe Prokuroria e Përgjithshme dhe se pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në ‘të sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik. /shekulli/