Qeveria meksikane aprovoi ekstradimin e “El Chapo”-s

Joaquin Guzman, lordi i drogës, do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u përballur me një seri akuzash, përfshirë trafik droge dhe vrasje.
Ditën e djeshme, qeveria meksikane ka aprovuar ekstradimin e “El Chapo”-s për në SHBA. Sipas BBC-së, avokatët e tij kanë 30 ditë kohë për të apeluar vendimin, por edhe nëse procedohet do të duhen disa muaj që ai të dërgohet në Amerikën e Veriut.
Ndërkohë, lordi i drogës u arrestua në janar, 6 muaj pasi u arratis përmes një tuneli nga qelia e tij në burgun e sigurisë së lartë. Më herët gjatë muajit, autoritetet meksikane e transferuan atë në një burg pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara.
“El Chapo” përballet me akuza të ngritura nga 7 prokurorë federalë amerikanë, mes të cilave pastrim parash, vrasje dhe trafik droge.
Avokati i tij, Juan Pablo Badillo deklaroi për agjencinë e lajmeve “Reuters” se në ditët e ardhshme do të nisë kundërshtimin e ekstradimit.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme meksikane deklaroi se, SHBA kanë dhënë garancinë se “El Chapo” nuk do të përballet me dënimin me vdekje nëse ekstradimi realizohet.

Temat
BotëLajme

Të afërta