Sherifi tregon se prej cilëve shokë i ka “peshqesh” Limaj proceset gjyqësore (Video)

I ftuar në emisionin “Saktë”, sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi për herë të parë ka deklaruar se pse deri më tani emri i Fatmir Limajt është përfshirë në disa procese gjyqesore që ndërlidhen me vrasjet e pasluftës.

“Kanë filluar me zotin Limaj, por si duket nuk do të ndalen vetëm me të. Si duket e kanë keqkuptuar këtë shumë shokë dhe ish shokë të mi se duke dhënë nga një… duke mundësuar të persekutohet nga një njeri, do të shpëtojnë vetë. Aktualisht, ne nuk mund të themi as pse as kush, por koha do t’i dëshmojë të gjitha”, ka deklaruar Sherifi, i cili dikur njihej si mik i afërt i presidentit Hashim Thaçi, që nga koha e themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), si përfaqësues për diasporë e kësaj organizate që konsiderohet si zanafilla e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Kryetari i Kryesisë së Nismës për Kosovën dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se çdo gjë që ai ka thënë prej fillimit rreth procesit kundër tij në rastin ‘Kleçka’ është vërtetuar.

“Nuk ka asnjë orë që nuk është hetuar nga Haga. Procesi e mori një epilog nga gjyqtarët eminent në Hagë”, ka thënë Limaj. Ai ka shtuar se ka shumë gjëra që me kohë dalin se çka ka ndodhur në tërë procesin dhe se koha do t’i tregojë të gjitha të vërtetat mbi të, edhe pas gjithë akuzave që po i bëhen edhe pas Hagës.

“Në Kosovë ka ende njerëz që luajnë me njerëzit, me emocionet e njerëzve. Por, me kohë do të vijnë gjërat duke u qartësuar”, ka theksuar Limaj./Sakte.net

Temat
LajmeVend

Të afërta