PDK-ja e konsideron të dështuar sistemin shëndetësor që po udhëhiqet nga LDK-ja

I fundit që hodhi kritika të ashpra në drejtim të Ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ishte kryetari i Kuvendit dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Veseli e quajti sistem shëndetësor të keqmenaxhuar, duke shtuar se për shkak të gjendjes së rëndë të shëndetësisë, shumë mjekë të mirë po ikin nga Kosova dhe pacientët po detyrohen të mjekohen jashtë vendit.

Veseli është zëri i dytë pas deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu që po kërkojnë dorëheqjen apo shkarkimin e Ministrit të Shëndetësisë, që i takon LDK-së.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë për Indeksonline se ende nuk kanë ndonjë qëndrim për kritikat që i ka bërë partneri i koalicionit.

“Këtë pyetje duhet ta adresoni në Qeveri dhe jo mua. Nuk kemi ende asnjë qëndrim tani për tani për këtë çështje. Prej partisë nuk është diskutuar kjo punë”, ka thënë Rugova shkurt për Indeksonline.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka thënë për Indeksonline se ka më shumë se një vit që ai po kërkon dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmani, ose shkarkimin e tij.

Sipas Haxhiut, ministri nuk ka mundur të zgjidh problemet që janë në sistemin shëndetësor në Kosovë, pavarësisht kritikave.

“Nëse ju kujtohet, ka kohë që nga viti i kaluar që unë kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin nga kryeministri të Imet Rrahmani, e kërkesa ime ishte vendosmërisht kur kam parë që ai nuk po dorëhiqet, pavarësisht vërejtjeve të shumta. Ministri nuk ka arritur të implementoj sistemin shëndetësor, neve kemi probleme me funksionimin e sistemit shëndetësor, ndërhyrjet të cilat i ka bërë me anë të ligjit për të rehatuar militantë partiak që kanë shkuar në dëm të pacientëve dhe të qytetarëve”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka vlerësuar se gjendja në shëndetësi kurrë nuk ka qenë më keq dhe më alarmante, për ç’shkak edhe mjekët më të mirë po ikin nga Kosova sepse nuk ka politikë kadrovike për ta.

“Mos të harrojmë se gjendja në të gjithë sektorët dhe ikja masive e pacientëve është alarmante, numri i pacientëve të cilët po kërkojnë trajtim jashtë vendit është në rritje për shkak se atyre këtu nuk u ofrohet mundësia që të shërohen. Këto janë probleme shumë të mëdha të cilat ky ministër as nuk ka mundur t’i kuptoj e lërë më ti zgjedh, prandaj kam kërkuar shkarkimin e tij edhe vitin e kaluar”, ka shtuar Haxhiu.

E ministri i cili po kritikohet për gjendjen e rëndë të shëndetësisë, Imet Rrahmani ka deklaruar se nuk është faji i tij për këtë gjendje, por e politikës e cila është bërë rreth menaxhimit të këtij sektori.

Ai kishte thënë që nuk duhet pritur mrekulli për zgjidhjen e problemeve, pasi që, sipas tij, këto probleme të shkaktuara tash e 16 vite nuk mund të zgjidhen me shkop magjik.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani vitin e kaluar kishte premtuar se Ligji për Sigurime Shëndetësore do të gjej zbatim deri në fund të vitit 2016, mirëpo një gjë e tillë nuk pritet të ndodh pasi që në buxhetin e këtij viti nuk parashihet fondi për sigurime shëndetësore.

Shëndetësia ka qenë në thumb të kritikave për disa skandale. Prej verbërimit të fëmijëve, vdekjes e një gruaje pas lindjes në Gjilan, mungesën e barnave, mungesa e stendave për të sëmurit nga zemra…/Indeksonline/

Temat
LajmeVend

Të afërta