Koalicioni në krizë
Dështimi i seancave plenare për shkak të mungesës së deputetëve të pozitës, pavarësisht numrave që kanë në Kuvend, analistët po e shohin si pasojë e krizës me të cilën po përballet koalicioni qeverisës. Deputetë të pozitës thonë se ka edhe kolegë të tyre nga koalicioni që nuk dëshirojnë të shkojnë punët si duhet
Kuvendi i Kosovës vazhdon të përballet me vështirësi serioze në realizimin e punës së tij, jo vetëm për shkak të bojkotimit nga partitë opozitare, por edhe për shkak të mungesës së deputetëve në koalicionin qeverisës në seanca plenare.
Partnerët e koalicionit qeverisës (PDK-LDK) po dështojnë që t’i mbajnë deputetët e tyre në seanca plenare dhe për këtë shkak po dështon miratimi i shumë ligjeve.
Derisa zyrtarët e lartë të institucioneve të vendit mohojnë që koalicioni është në krizë dhe siç thonë ata, është përgjegjësi individuale e deputetëve të jenë të pranishëm në seanca, analistët politikë e thonë të kundërtën. Analisti politik, Halil Matoshi, thotë se dy partitë në Qeveri janë duke u përballur me një krizë, prandaj, siç thotë ai, vijnë këto mungesa të deputetëve në seanca plenare që e bëjnë Kuvendin të papërfillshëm. /Zëri/