Delawie: ShBA-të do të vazhdojnë ta përkrahin procesin e transformimit të FSK-së

Ministri i FSK-së, Haki Demolli së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë pritur dje në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Greg Delawie.

Sipas një njoftimi, fillimisht, ministri Demolli falënderoi ambasadorin Dellawie për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë ndër vite dhe po vazhdojnë të japin për ngritjen profesionale të FSK-së, siç është bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Po sipas njoftimit, një falënderim të veçantë ministri Demolli i shprehu ambasadorit Delawie, lidhur me kërkesën e Kongresit Amerikan që të fillojnë përgatitjet që Kosova të hyjë në Programin e Partneritetit për Paqe (PfP), në kuadër të NATO-s.

“Gjatë takimit ministri Demolli dhe ambasadori Delawie biseduan edhe për zhvillimet e përgjithshme në Ministri, me theks të veçantë për zhvillimet rreth procesit të transformimit të FSK-së. Me këtë rast, ambasadori i SHBA-së, Delawie tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta përkrahin procesin e transformimit të FSK-së”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, shtohet në njoftim, ambasadori Greg Delawie shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të deritashëm në mes dy shteteve, si dhe bashkëpunimin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Ajovës.

“Ai premtoi vazhdimin e bashkëpunimit dhe ndihmën e pakursyer edhe në të ardhmen për ta ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës drejt profesionalizimit të saj”, thuhet ndër tjerash në njoftim. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta