AAK e Pejës: Gazmend Muhaxheri, paranoik edhe ndaj partnerit, PDK-së

Pas zhvillimeve të sotme në Asamblenë komunale të Pejës, me ç’rast nga thyerjet në mes të partnerëve LDK-PDK, nuk u miratua rishikimi i buxhetit komunal, ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare e Pejës, AAK.

Në një deklaratë për media nga dega e AAK-së në këtë qytet thuhet se Muhaxheri me sjellje foshnjore duke u “hidhëruar” në aleatët dyvjeçar po rrezikon qëndrueshmërinë e Institucioneve komunale.

“Sjellja e sotme e kryetarit të komunës në cilësinë e një despoti me stilin ‘Sot po vendosi të pranoj në koalicion këtë parti e nesër po e largoj një parti, vetëm pse nuk e përkrah atë në një çështje’, është tregues i papjekurisë, papërgjeshmërisë dhe fatkeqësisë së lidershipit të komunës së Pejës”, thuhet në reagim.

Sipas AAK-së skenat e sotme të krijuara në mbledhjen e Asamblesë, nga ana e Muhaxherit, janë shtypje dhe shkelje me dy këmbë mbi rregullat e demokracisë.

“Kërcënimet e tij janë vetëm vazhdim i metodave të tij të njohura prej shantazhi e konspiracioni, të cilat e kanë përcjellë gjatë tërë jetës, e që i ka aplikuar ndaj miqve dhe konkurrentëve politik. Këta të fundit (konkurrentët politik), nga paranoja Gazi gjithmonë i ka parë si armiq”.

Siq thuhet në deklaratë prishja për mos kalimin e rishikimit të buxhetit është ndoshta kamuflim i pakënaqësive të akumuluara ngase partneriteti LDK-PDK ka qenë i panatyrshëm.

“Pavarësisht këtyre fakteve, ne si AAK mbesim të shqetësuar për nivelin e papërgjeshmërisë së kryetarit Gazmend Muhaxheri, i cili nuk ka asnjë ndjenjë të zhvillimit të komunës por të gafeve të tij qeverisëse, shkeljeve ligjore, duke ia shtuar skandaleve të tjera të tilla edhe një skandal tjetër, atë të largimit nga institucionet, partnerët e tij të derisotshëm sikur të ishte pronar privat i institucioneve”, thuhet në reagim.

Temat
LajmeVend

Të afërta