Pas zhvillimeve të sotme në Asamblenë komunale të Pejës, me ç’rast nga thyerjet në mes të partnerëve LDK-PDK nuk u miratua rishikimi i Buxhetit komunal, ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare e Pejës, AAK.
“Sjellja e sotme e kryetarit të Komunës në cilësinë e një despoti me stilin ‘sot po vendosi të pranoj në koalicion këtë parti e nesër po e largoj një parti vetëm pse nuk e përkrah atë në një çështje’, është tregues i papjekurisë, papërgjeshmërisë dhe fatkeqësisë së lidershipit të komunës së Pejës”, thuhet në reagim të AAK-së.
Sipas AAK-së, skenat e sotme të krijuara në mbledhjen e Asamblesë, nga ana e Muhaxherit, janë shtypje dhe shkelje me dy këmbë mbi rregullat e demokracisë.
“Kërcënimet e tij janë vetëm vazhdim i metodave të tij të njohura prej shantazhi e konspiracioni, të cilat e kanë përcjellë gjatë tërë jetës, e që i ka aplikuar ndaj miqve dhe konkurrentëve politikë. Këta të fundit (konkurrentët politik), nga paranoja Gazi gjithmonë i ka parë si armiq”, thuhet në kumtesë, sipas së cilës “prishja për mos kalimin e rishikimit të buxhetit, është ndoshta kamuflim i pakënaqësive të akumuluara, ngase partneriteti LDK-PDK ka qenë i panatyrshëm”.