Ish-zyrtari i lartë i NATO-s thotë se vitin e ardhshëm nis lufta kundër Rusisë

Sipas gjeneralit Richard Shirref – ish- zëvendëskomandant i forcave të NATO-s – në librin e tij “2017 – Lufta kundër Rusisë”, thotë se vitin e ardhshëm kërcet lufta, pasi Putini invadon Letoninë, duke kërcënuar madje Perëndimin me armë bërthamore.

Shirref thotë se NATO do të duhet të merret me këtë fatkeqësi dhe të japë përgjegjësi për dështimet e reagimeve joadekuate ndaj deklaratave të forta politike të Rusisë dhe të forcave të tij. Ai thotë se ky reagim për NATO-n do të jetë si “fundi i botës”, transmeton Telegrafi.

Lufta, sipas tij, fillon në maj të vitit të ardhshëm, pothuajse një vit që nga dalja në shitje e librit të sipërpërmendur (a është kjo lojë marketingu apo diçka tjetër, mbetet të shihet).

Autori shkruan se presidenti “agresiv dhe oportunist”, Vladimir Putin, po përfiton nga liderët e Perëndimit që Rusinë sërish ta bëjë superfuqi. Shirreff mendon se konfliktet në Gjeorgji dhe Ukrainë – ku Rusia mori atë që donte, duke ruajtur një status quo – janë veçse një hyrje për invadimin e Letonisë.

Autori pretendon se kjo luftë mund të shmanget vetëm nëse NATO rendit ushtarët dhe armatimin në shtetet e Baltikut dhe të Evropës Lindore. NATO këtë ndërmarrje veç po e bën, për çka Kremli ka reaguar duke thënë se kjo është shkelje e marrëveshjeve dhe premtimeve që më 1997 NATO ia ka dhënë ish-presidentit rus, Boris Jelcinit tashmë të ndjerë, se nuk do të ketë renditje të përhershme të forcave ushtarake në shtetet e ish-Paktit të Varshavës.

Krerët e forcave perëndimore, mendon Shirreff, shpesh tallen me forcat ruse, me modernizimin dhe gatishmërinë e tyre për të luftuar. Midis tyre është bindja se pajisjet ruse janë vjetruar, se raketat i kanë “budallaqe e jo të zgjuara”, se marina është “më shumë e ndryshkur se e gatshme për veprim”, transmeton Telegrafi.

Por, pastaj ndodhi pushtimi i Krimesë. Pastaj ndodhi intervenimi në Siri ku aeroplanët rusë kanë kryer më shumë sulme në një ditë, se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në një muaj. Po ashtu, rusët kanë treguar se sa “budallaqe” i kanë raketat balistike kur kanë qëlluar nga anijet e vendosura në Detin Kaspik, nga një distancë prej 1500 kilometrave. Së fundmi, ata kanë vendosur mbrojtjen ajrore në lindje të Ukrainës dhe në Siri ku – pas shkatërrimit të aeroplanit të tyre nga Turqia – është vendosur sistemi i mbrojtjes ajrore S-400 që vështirëson forcat Perëndimore të veprojnë në këto rajone, sidomos nëse kanë qëllime armiqësore ndaj Rusisë, ndaj Bashar al-Assadit në Siri apo kryengritësve në lindje të Ukrainës.

Mbrojta ajrore është vendosur në Krime dhe në Kaliningrad, në enklavën ruse mes Lituanisë dhe Polonisë që pengon veprimin e lirë të aeroplanëve të NATO-s në Evropën Lindore, sidomos në Ukrainë dhe në Poloni.

Mbetet për të parë se si këto rrjedha do të zhvillohen deri në majin “fatal” të vitit 2017. /Telegrafi/

Temat
BotëLajme

Të afërta