BE-ja nuk do që mandati i EULEX-it të kufizohet në kohë

Autoritetet e Kosovës dhe ato të Bashkimit Evropian kanë përafruar qëndrimet përkitazi me vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe kanë mbetur vetëm dy çështje në diskutim: afatizimi i mandatit dhe kalimi i lëndëve nga vendorët te ky mision.

Vendimmarrja për të dyja çështjet ka kaluar në nivelin më të lartë politik, shkruan sot Koha Ditore.

Prej muajsh, Prishtina dhe Brukseli janë duke zhvilluar negociatat për mandatin e EULEX-it. Për të diskutuar aspektet finale rreth mandatit, në fund të javës së shkuar ka qëndruar në Kosovë shefi i Operacioneve Civile të BE-së, Kenneth Dean. Bashkë me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, dhe me shefin e EULEX-it, Gabrielle Meucci, ka takuar autoritetet kryesore.

Një takim me titullarët e institucioneve të drejtësisë është zhvilluar në zyrën e presidentit Hashim Thaçi. Aty kanë marrë pjesë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, si dhe përfaqësues të Këshillit Gjyqësor dhe të atij Prokurorial.

Temat
LajmeVend

Të afërta