Jahjaga ngushëllon familjen e Marte Tunaj

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka ngushëlluar familjen e Marte Tunaj nga Vitia, për vdekjen e nënës së tyre, duke thënë se çdoherë kanë gjetur frymëzim në vendosmërinë e Martes për t’i denoncuar kriminelët që përdorën dhunimin si armë gjatë luftës në Kosovë.

Jahjaga ka shkruar në Facebook:

“Me zemër të rënduar ngushëllova familjen e zonjës Marte Tunaj sot në Viti për humbjen e nënës dhe motrës. Ndarja e saj nga jeta, që e kishte kaluar me shumë dhembje e vuajtje, është humbje për të gjithë ne që gjetëm frymëzim në guximin dhe vendosmërinë e zonjës Marte për t’i denoncuar kriminelët që përdorën dhunimin si armë gjatë luftës në Kosovë.

Ajo u bë zë i fuqishëm i një pjese të shoqërisë që ka përjetuar vuajtje të paimagjinueshme, por që ka gjetur forcën t’i ndajë ato përjetime, në heshtje apo publikisht për të kërkuar drejtësi, për të na edukuar, për të na përkujtuar çmimin e lirisë.

I falënderova tre fëmijët e saj që e kanë përkrahur dhe i kanë qëndruar nënës së tyre pranë duke e ndihmuar atë ta vendosë drejtësinë në vend për të, për ne.

Martja u prehtë në paqe!”, ka shkruar Jahjaga.

Temat
LajmeVend

Të afërta