Zëvendësministri Hoti: Ukshin Hoti, prijës i të drejtave dhe lirive shqiptare

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti mori pjesë në një organizim në kuadër të “Javës së Ukshin Hotit” meqë rast u mbajt një orë letrare në nderë të figurës së veprimtarit Hoti.

Në kuadër të organizimit i cili u mbajt në vendlindjen e Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe, të pranishëm ishin poetë nga vende të ndryshme të Kosovës të cilët lexuan disa nga krijimet e tyre kushtuar Ukshin Hotit.

Zëvendësministri Hoti, duke folur për veprimtarin e çështjes kombëtare, Ukshin Hotin tha se ai nuk e ka mbrojtur çështjen shqiptare vetëm nga të qenit vetë shqiptar, por ngase ndjeu pafundësisht detyrën për mbrojtje të nevojave të shqiptarëve për liri dhe të drejta.

Dukë folur para nxënësve të shkollës fillore “Bajram Curri”, zëvendësministri tha se ndër çështjet më të rëndësishme për Ukshin Hotin ka edhe qenë shkollimi i brezit të ri.

Më pas, zëvendësministri tha se Ukshin Hoti ishte i pari që hodhi idenë se republikat shqiptare duhet të konsolidohen në një shtet si dhe i dha jetë lirisë paqësore dhe krahut të luftës.

Zëvendësministri theksoi se veprimtari Hoti me të drejtë konsiderohet si profet i të drejtave dhe lirive shqiptare ngaqë ka punuar fortë dhe me përkushtimin për arritjen e tyre.

Ai tha se filozofia politike e Ukshin Hotit e tejkalon mendimin e botës shqiptare akademike sot.

Temat
LajmeVend

Të afërta