Mustafa fton për sqarime ministrin serb për deklaratat kundër Kosovës

Deklarimet kundër anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA dhe kritikat e shumta që i bëri shefit të tij, ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, pritet të japë sqarime së shpejti.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, përmes telefonit ka konfirmuar se deklaratat e ministrit Mariq janë të papranueshme dhe dalin jashtë përgjegjësive të tij, andaj për këtë çështje kryeministri Isa Mustafa do ta takojë atë, raporton KTV.

Për njohësit e rrethanave politike, deklaratat e ministrit të Pushtetit Lokal janë raciste, e për të cilat do të duhej të pasonte shkarkimi.

Mirëpo, avokati Arianit Koci thotë se ministri serb vetëm po shpreh qëndrimin e shumicës serbe në Kosovë, e që sipas tij, kështu më së lehti kuptohen qëllimet e tyre.

Shkarkimin e ministrit Mariq, e ka kërkuar partia Fjala e deputetit Gëzim Kelmendi, e cila përmes një komunikate, ka thënë se ky ministër vazhdon të mohojë shtetësinë e Kosovës dhe kundërshtimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Edhe analisti i çështjeve politike, Lumir Abdixhhiku, përmes një postimi të tij rrjetin social Facebook, ka renditur një sërë arsyesh se përse ministri serb në qeverinë e Kosovës do të duhej të shkarkohej.

Derisa Mariq në vazhdimësi i është referuar shtetit si “Kosovë e Metohi”, ai nuk ka hezituar që gjatë një vizitë zyrtare të tij në Itali të bëjë fotografi ku në prapavijë shihet flamuri i Kosovës.

Mariq, gjatë një interviste për mediat serbe, doli kundër deklaratave të shefit të tij, duke theksuar se qeveria e Kosovës pjesë e së cilës është edhe vetë, nuk ka kapacitet që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Ndërsa kur foli për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA tha se Kosova nuk ka kapacitete financiare për anëtarësim në këto organizata, e që tregon se këto janë vendime politike.

Temat
LajmeVend

Të afërta