Mustafa, delegacionit të PE-së: Jemi të përkushtuar për reformat euro-integruese

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, i cili do të marrë pjesë në takimin e Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim Asociim.

Në kuadër të këtij delegacioni, të kryesuar nga Tonino Picula, ishin zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, europarlamentarët Dubravka Suica, Tanja Fajon, Jozo Rados, Georgios Kyrtsos dhe Julie Ward.

Kryeministri Isa Mustafa i njoftoi për progresin në Kosovë, me theks të posaçëm në zhvillimin ekonomik, në proceset euro-integruese dhe anëtarësimin e vendit në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare.

Duke veçuar rëndësinë që ka për Kosovën hyrja në fuqi e MSA-së, kryeministri Isa Mustafa tha se ky dokument kontraktual i hap Kosovës një perspektivë të fuqishme ekonomike, politike dhe në proceset tjera evropiane, duke pasur parasysh edhe rekomandimin për liberalizimin e vizave.

Kryeministri poashtu foli për hapat konkret që Qeveria po ndërmerr në zbatimin e MSA-së, në mënyrë që ajo të jap efektet e pritura në të gjitha fushat e jetës.

Kryeministri Mustafa theksoi edhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për heqjen e njollës së korrupsionit dhe stigmatizimit që i është bërë Kosovës në këtë drejtim.

“Qeveria e Kosovës dhe qytetarët e vendit janë të përkushtuar në realizimin e reformave eurointegruese dhe në fuqizimin e gjithanshëm të shtetit dhe progresit në Kosovë”, tha kryeministri, duke shprehur mirënjohje për Parlamentin Evropian, për eurodeputeten Lunacek dhe të gjithë pjesëtarët tjerë, për përkrahjen e jashtëzakonshme për proceset në Kosovë.

Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta