Çitaku në OKB: Kosova është vend evropian

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka thënë se Kosova është vend Evropian në konferencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po shqyrtohet raporti për Kosovën.

Çitaku ka folur edhe për marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ku ka ritheksuar se Kosova do ta zbatojë secilën marrëveshje.

“Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës më lejoni ta ritheksojë se ne do të zbatojmë secilën marrëveshje që kemi arritur me Serbinë në Bruksel”, u shpreh Çitaku, transmeton Telegrafi.

Ajo më pas ka përmendur deklaratën e presidentit serb Tomislav Nikoliq i cili krahasoi Kosovën me ISIS-in, duke theksuar se kjo gjë nuk qëndron.

“Si mund të themi që po i normalizojmë marrëdhëniet kur presidenti serb e krahason Kosovën me ISIS-in. Kosova është vend evropian që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, përpjekja për të na etiketuar për diçka që nuk jemi është e ulët dhe e pasaktë”, ka thënë Çitaku, duke shtuar se Kosova është një vend i cili lufton ISIS-in dhe e sheh atë si kërcënim ndaj rajonit.

Çitaku po ashtu foli edhe për tolerancën ndërfetare ku shtoi se Kosova nuk ka qenë e as nuk do të jetë kurrë burim i urrejtjes ndaj të tjerëve./Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta