Abrashi: Abaz Thaçi, udhërrëfyesi më i mirë për brezat e ardhshëm të vendit (Foto)

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes”, sot është mbajtur një akademi përkujtimore në nderim të rënies heroike të Heroit Abaz Thaçi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Social, Arban Abrashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, foli për figurën e heroit të Kosovës, Abaz Thaçi, dhe luftën e lavdishme të Koshares, duke theksuar se lufta dhe rënia e Abazit për liri do të jetë gjithmonë udhërrëfyesi më i mirë për brezat e ardhshëm të vendit tonë.

“Abaz Thaçi ishte veprimtar i shquar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkë me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, ndër të parët u mor me përgatitjen e rezistencës së armatosur për çlirimin e Kosovës. Abazi tregoi zotësi e trimëri të jashtëzakonshme në luftën për lirinë e atdheut, duke u shndërruar në një model të luftëtarit e të prijësit të suksesshëm”, tha Abrashi.

Ministri Abrashi, tha po ashtu se Kosova e pavarur, shtet sovran dhe demokratik, ka qenë ëndrra dhe ideali i të gjithë atyre që punuan dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Por, gjithashtu, ata ranë me synimin që Kosova të jetë një vend i zhvilluar, një vend i vlerave më të përparuara të qytetarisë dhe të kulturës europerëndimore”, tha ministri Abrashi.

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, shprehu respektin për figurën e ndritur të Kosovës, Dëshmorin e Kombit Abaz Thaçi dhe familjen e tij.

“Të kujtosh Abazin është të kujtosh një personalitet të devotshëm, kurajoz dhe shembull i mençurisë dhe guximit të kombinuar natyrshëm. Abaz Thaçi, ky burrë Drenice është shembull i fisnikërisë, mençurisë së trashëguar dhe dijes së fituar me punë dhe përvojë ushtarake”, tha nënkryetari Nura, duke thënë se Abazin e bëjnë të pavdekshëm vepra e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së vendit të tij, Kosovës.

Në emër të Brigadës “138 Agim Ramadani”, Fadil Hadërgjonaj, evokoi kujtime nga Beteja e Koshares, duke thënë se aty ishin takuar vizionarët, strategët dhe ushtarakët më të zotë, njohësit e artit të luftës të vendosur dhe betuar se do të luftojnë deri në fund me qëllim çlirimin e Kosovës. “Ngjarjet e mëdha i bëjnë njerëzit e mëdhenj, të vendosur dhe të përkushtuar. Por, ngjarjet e mëdha i kanë edhe heronjtë e vet”, tha Hadërgjonaj, duke theksuar se shembulli i Heroit Abaz Thaçi, është i gjallë dhe i përjetshëm në mesin e qytetarëve të Kosovës.

Në emër të familjes, mbesa e Heroit Abaz Thaçi, Shaha Thaçi falënderoi të pranishmit për përkrahjen. Ajo tha se mesazhi i Betejës së Koshares ishte shumë i qartë, shembja e kufijve që i ndanë shqiptarët mes vete.

“Por për fat të keq shqiptarët kanë vënë kufij të panevojshëm mes vete, siç janë kufijtë ideologjik dhe partiak. Uroj nga zemra që ne si komb të jemi të bashkuar dhe t’i lëmë ndasitë, sepse edhe sot ne kemi nevojë më shumë se kurrë të bashkohemi për një qëllim të përbashkët”, tha mbesa e Heroit Abaz Thaçi. /Indeksonline/

auto_21463404135

auto_31463404134

Temat
LajmeVend

Të afërta