Krasniqi në protestë: I themi jo kushtëzimit të liberalizimit të vizave me demarkacion

Kryetari i Këshillit të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi i cili foli i pari në protestën gjithëpopullore të opozitës, tha se sot i ka bashkuar të gjithë vendosmëria për të luftuar ndarjen e shtetit.

Ai ka theksuar se në shesh i ka sjell vendosmëria për ti thënë jo demarkacionit, përmes së cilit Kosova humb shumë tokë, i ka sjell vendosmëria për t’i thënë jo dialogut me Serbinë, raporton Indeksonline.

“I themi jo dialogut me shtetin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka kryer gjenocid, duke mos kërkuar asnjëherë falje. I themi jo kushtëzimit të liberalizimit të vizave me demarkacion, por i themi po të gjitha fitoreve politike deri në ditën e sotme, i themi jo të gjitha marrëveshjeve të dëmshme që kanë dal nga Thaci e Mustafa, i themi jo qeverisë antikushtetuese Mustafa-Thaci”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se dorëheqja e qeveritarëve është fundi i krizës në Kosovë, duke shtuuar se populli i thotë po dorëheqjes së qeverisë dhe zgjedhjeve të parakohshme.
“Këta qeveritarë i kanë bërë vendit dëme të pariparueshme dhe e kanë humbur legjitimitetin për qeverisje, dhe në rrethana të tilla, vetëm zgjedhjet mund t’ia kthejnë vendit legjitimitetin”, ka thënë tutje Krasniqi.

Sipas tij, opozita nuk e don pushtetin për vete por për të qeverisur me shtetin dhe qytetarët.

“Mirë u pafshim në zgjedhjet e lira të parakohshme dhe demokratike”, ka përfunduar Krasniqi.

Temat
LajmeVend

Të afërta