Vrasja në Dajt, biznesmeni u ekzekutua dhe u gropos për borxhet

Tre muaj pas vrasjes së biznesmenit të ndërtimit Vasil Biba, policia deklaroi zbuloi autorin e ngjarjes dhe shpalljen e tij në kërkim.

Vasil Biba, biznesmen ndërtimi, u gjet i vrarë me dy plumba në kokë dhe i groposur në vendin e quajtur “Zabel”, në territorin e Komunës së Dajtit dhe sipas policisë shkak i vrasjes janë bërë borxhet që viktima i ka pasur autorit të krimit, Bledar Mneri.

“Nga hetimet e koordinuara të policisë dhe prokurorisë, dyshohet se motivi i kësaj vrasjeje ka qenë mashtrimi në fushën e ndërtimeve dhe shuma të mëdha të pashlyera (borxhe) nga ana e viktimës”, bëri me dije dje Policia e Tiranës.

Burime të Prokurorisë kanë thënë se viktima Vasil Biba njihej si biznesmen ndërtimi.

Ai menaxhonte sipas ngarkesës së punës një ose dy brigada punëtorësh që kryenin punime në pallatet e reja.

“Ata konkretisht merrnin përsipër lyerjen e gjithë pallatit, shtrimin dhe veshjen me pllaka. Në këmbim të kësaj pune, Vasil Biba nuk merrte para, por paguhej me apartamente”, thanë burimet nga hetimi.

Sipas tyre, më konkretisht biznesmeni i vrarë merrte 2-3 apartamente në çdo pallat ku kryente punime me brigadën e tij të punëtorëve. Këto apartamente që merrte si shpërblim për punën e kryer, biznesmeni Vasil Biba i nxirrte në shitje, duke realizuar kështu të ardhura financiare.

Sipas grupit të hetimit, viktima ka shitur disa nga apartamentet më shumë se një herë, duke futur blerësit në konflikte, por duke i shkaktuar probleme edhe vetë kompanisë që drejtonte.

Muajt e fundit, para se të vritej në Dajt, mësohet se biznesmeni 36-vjeçar shfaqej gjithnjë e më pak në Tiranë pasi kërkohej nga shumë persona që e kishin kërcënuar që t’u kthente paratë që u kishte marrë për apartamente që i kishte shitur më parë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta