A do të ketë dhunë në protestën e nesërme? Ja çfarë thonë njohësit e sigurisë!

Opozita “gjysmake” Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën nesër do të protestojnë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër qeverisë .

Liderët e të dy partive, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj kanë deklaruar se protesta e nesërme do të jetë më e madhja e mbajtur ndonjëherë në Prishtinë.

Këto dy subjekte vlerësojnë se ka shumë arsye për të protestuar dhe se ata nuk do të zmbrapsen as për Demarkacionin me Malin e Zi, (i cili u bë kusht nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave), edhe nëse kjo nënkupton rrezikimin e lirimit nga izolimi të qytetarëve të Kosovës.

Pavarësisht se bllokut opozitar iu shkëput Lëvizja Vetëvendosje për siç u tha, ndryshim konceptesh, AAK e NISMA theksojnë se janë të vendosura që të punojnë për ndryshimin e gjendjes aktuale.

Të dy partitë kanë deklaruar se protesta e nesërme do të jetë e qetë dhe paqësore.

Edhe njohësit e çështjeve të sigurisë kanë vlerësuar se protesta e nesërme do të jetë e qetë dhe paqësore.

Burim Ramadani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se sipas vlerësimeve profesionale, duket që protesta e të shtunës do të jetë e qetë dhe paqësore, dhe se gjasat për eskalim të protestës janë barazi me zero.

“Duket qartë se organizatorët e protestës nuk kanë asnjë qëllim të eskalimit të situatës së sigurisë dhe kjo besoj se duhet vlerësuar si konceptualisht ashtu edhe praktikisht. Në të njëjtën kohë, besoj se protesta e të shtunës, shikuar nga aspekti i sigurisë, duhet të shërbejë për dy elemente kryesore: Së pari, që protestat edhe kur janë politike nuk ndërlidhen domosdoshmërisht me elemente dhune, dhe Së dyti, do të ishte mirë që Policia të mbajë rendin publik vetëm me policë patrullues”, ka thënë Ramadani.
Ai ka shtuar se do të ishte një tregues i mirë nëse Policia përmes policëve të rendit publik (patrullave policore) të angazhohet në këtë protestë.

“ ormalisht, vlerësimet profesionale i bën Policia dhe institucionet tjera të sigurisë, mirëpo do të doja të shoh ambient të mirë dhe kontribut policor në mbarëvajtjen e protestës”, u shpreh Ramadani.

I pyetur se sa do ta arrijë efektin e saj politik kjo protestë, ai theksoi se secili organizim politik e qytetar jep gjithnjë efekte, mirëpo ato mund të mos jenë brenda ditës.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku ka theksuar se protesta e nesërme nuk do të eskalojë në dhunë.

“Sipas informacioneve që unë i posedoj, organizatorët të njëjtën edhe e kanë paraqitë, sipas ligjit në fuqi edhe në organet e rendit dhe janë pajisur edhe me leje për protestë. Pra është protesta e parë kundër qeverisë që organizohet konfrom ligjit që prej se jemi në liri dhe kjo është një ngjarje shumë më rëndësi sipas mendimit tim”, tha Maloku për Telegrafin.

Ai shtoi se suksesi apo mos suksesi i kësaj proteste do të varet nga pjesëmarrja e qytetarëve dhe nga reflektimi i qeverisë.

“Mbajtja e kësaj proteste duke respektuar ligjin për mua është një sukses dhe një e arritur për Kosovën. Vetëvendosje nuk do të merr pjesë zyrtarisht por nuk ka dalë me komunikatë që e kundërshtojnë atë çka nënkupton që anëtarët dhe simpatizantët e VV-së mund të marrin pjesë dhe pres që një numër i tyre do të jenë aty”, u shpreh Maloku. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta