Sportistet e vetme me normë olimpike nisin përgatitjet finale

Xhudistet kosovare të enjten (sot) udhëtojnë për në Slloveni, ku për afro dy javë do të stërviten në një kamp përgatitor.

Është ky fillimi i fazës së fundit përgatitore para paraqitjes në lojërat olimpike “Rio 2016”. Në Rio në fillim të gushtit, me normë të fituar, do të garojnë Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë.

Majlinda e Nora janë sportistet e vetme nga Kosova që kanë normë të fituar. Të vetmet edhe pritet të mbesin pasi deri në fund të ciklit kualifikues nuk kanë mbetur edhe shumë gara për sportistët kosovarë. Ka gjasa të mëdha që me ftesë në Rio të garojë edhe xhudistja Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë.

Në fakt, xhudistet nën udhëheqjen e trajnerit Driton Kuka para dhjetë ditësh kanë nisur në Pejë përgatitjet bazike për në Rio. Ato stërvitjeve iu kthyen pas pushimit prej 10 ditësh që e kishin pas kampionatit evropian, shkruan kohaditore.

Më 21 prill Majlinda Kelmendi u shpall kampione e Evropës, ndërsa Nora Gjakova fitoi medalje të bronztë.

Temat
SportVend

Të afërta