Roberto Mancini është liruar nga të gjitha akuzat për mashtrime financiare, një çështje e ngritur dhe e perënduar në harkun e pak orëve nga prokurorët italianë të Romës.
Organi i akuzës në kryeqytetin e Apenineve bëri bujë me kërkesën për një dënim prej 3 vjetësh e gjysmë burgim dhe në arsyetimin e tij, prokurori Stefanio Fava kishte renditur disa fakte sipas të cilëve, tekniku i Interit kishte luajtur rolin e tij në një proces të bujshëm.
Por pak orë distancë nga kërkesa, erdhi edhe vendimi i gjykatës që liroi trajnerin e zikaltërve nga të gjitha akuzat për falimentim fiktiv me qëllim evitimin e pagesave ndaj organeve fiskale.
Sipas vendimit të zbardhur, nuk ka asnjë krim të provuar ndaj Roberto Mancinit dhe kështu, ai nuk do të jetë i detyruar as të dëshmojë. Kërkesa u bë fillimisht gjatë procesit që ka lidhje me falimentimin e kompanisë ndërtuese “Img”.
Roberto Mancini akuzohej për falimentim mashtrues dhe në këtë çështje është përfshirë edhe biznesmeni Marco Mezzaroma, i cili do të gjykohet më vonë për shkak se nuk ka kërkuar një gjykim të shkurtuar dhe proces të përshpejtuar si të tjerët.
Të dy personazhet në fjalë, janë përfolur se u përfshinë në këtë falimentim në mënyrë indirekte, duke parë se nuk zotërojnë asnjë aksion të kësaj shoqërie. Roberto Mancini është mes kandidatëve për të marrë drejtimin e kombëtares italiane të futbollit.