Kryeministri Mustafa thotë se do të rishikohet formati i bisedimeve Kosovë – Serbi (Video)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se do të rishikojë formatin e bisedimeve me Serbinë për shkak të qëndrimeve të saj ndaj Kosovës. Ai tha se u ka bërë të ditur edhe zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian se është e vështirë që të vazhdohet me dialogun përderisa Serbia synon të pengojë Kosovën në proceset integruese. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri Mustafa shprehet i bindur se Kosova do të plotësojë kushtet që të fillojë zbatimi i liberalizimit të vizave për qytetarët e saj.
“Sa i përket formatit, në të vërtetë edhe po mendojmë për këtë. Do ta rishikojmë edhe njëherë formatin. Për mua është me rëndësi që të kemi sa më shumë involvim të të gjitha institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës edhe të presidencës edhe të parlamentit, por edhe shoqërisë civile në këtë proces. të shohim mënyrën se si ta kyçim parlamentin më shumë edhe në fazën përgatitore por edhe pasi që të kthehemi nga faza të ndryshme të dialogut në Bruksel, në mënyrë që pastaj vendimet që i marrim aty të jenë të pranueshme edhe për deputetët edhe për qytetarët”, tha Mustafa.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, qytetarët e Kosovës presin që brenda pak kohësh të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, por fillimisht institucionet duhet të përmbushin dy kushte, njëri prej të cilëve është thënë se është ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Gjykuar nga debatet rreth kësaj çështjeje, sa mund të rrezikohet procesi i liberalizimit?

Isa Mustafa: Mua më gëzon fakti që Komisioni Evropian e ka dhënë propozimin për liberalizimin e vizave. Një rekomandim i tillë është pritur për një kohë të gjatë në Kosovë. I kemi përmbushur të gjitha kriteret që i ka kërkuar BE-ja. Ka mbetur që në këtë ndërmjetëz tani, nga rekomandimi derisa votohet në Këshillin dhe Parlamentin Evropian, të punohet edhe në dy kritere; njëri është ky i demarkacionit, përkatësisht i ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Unë mendoj që ajo çështje është e përmbyllur, sepse edhe komisioni shtetëror, por edhe komisioni ndërkombëtarë që e pati formuar presidentja e vendit, e kanë vërtetuar se kufiri është aty ku është përcaktuar tani. Kemi pasur edhe një opinion të Departamentit të shtetit amerikan lidhur me të dhe ai ka qenë shumë i qartë që vija kufitare është aty ku është pranuar pavarësia e Kosovës ndërkombëtarisht. Dhe unë pres që kuvendi i Republikës së Kosovës në moment të caktuar, në të vërtetë gjatë kësaj periudhe kohore, ta bëjë ratifikimin. Ndërkaq, me gëzon fakti që edhe Mali i Zi edhe kryeministri i Malit të Zi është shprehur më parë që ata janë në gjendje në çdo moment kur palët mund të argumentojnë se ka ndodhur ndonjë gabim eventual, ai gabim mund të përmirësohet me marrëveshje dypalëshe. Dhe unë mendoj se duhet të jemi të hapur për këtë gjithmonë, por assesi s’guxojmë të rrezikojmë procesin e liberalizimit të vizave me prolongimin e ratifikimit.

Zëri i Amerikës: Përse nuk është shfrytëzuar gatishmëria e shprehur e Podgoricës zyrtare për të rishikuar këtë çështje dhe për të tejkaluar dallimet e brendshme në Kosovë?

Isa Mustafa: Po mendoj se problemi themelor është se nuk kemi pasur argumente të mjaftueshme pronësore që do t’i vinim në tryezë pranë palës së Malit të Zi dhe të themi se kufiri ka qenë atje dhe nuk është ky që është në këtë vijë. Ndryshe ne në qeveri nuk e kishim pranuar fare raportin e komisionit shtetëror që e kemi themeluar, mirëpo, komisioni ka dëshmuar se ai kufi është aty ku është vërtetuar sepse ka qenë vetëm ridefinimi i asaj vije kufitare. Ne nuk kemi ndërtuar ndonjë vijë të re kufitare. Është vetëm shënimi i vijës mbi atë që ka qenë si vijë administrative ndërmjet atëherë krahinës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Në çdo moment kur do të kishim argumente ose kur të bëjmë argumente, jo vetëm argumente politike ose populliste që po i përdorë tani opozita, por argumente pronësore dhe argumente tjera historike e shkencore, do t’i vinim para palës malazeze. Ne nuk kemi hezituar ta bëjmë atë, por deri më tani nuk kem hasur në një argumentim konkret me të cilin mund të bëjmë marrëveshje të re me Malin e Zi.

Zëri i Amerikës: Por, si do ta tejkaloni situatën meqë opozita ka paralajmëruar se do kundërshtojë sërish edhe votimin e ratifikimit në parlament?

Isa Mustafa: Po unë mendoj se duhet që shumica e parlamentit, përkatësisht dy të tretat të shprehin gatishmërinë ta votojnë këtë, gjithmonë me mundësi të hapur që çdo argumentim mund të diskutohet edhe më tutje me Malin e Zi.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, kufiri me Malin e Zi dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe janë pjesë e trysnisë së opozitës e cila kërkon zgjedhje të reja. Si prisni të tejkaloni gjendjen e krijuar në vend për shkak të këtyre kërkesave?

Isa Mustafa: Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mendoj se vendimi duhet të implementohet ashtu siç është, sepse nuk ka ndonjë rrugë tjetër. Është edhe pajtueshmëria edhe e faktorit ndërkombëtar, që rruga e mëtejshme e themelimit të këtij asociacioni të behët siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese. Në fakt gjykata ka thënë se asociacioni duhet të themelohet, sepse është bërë pjesë e rendit juridik të Kosovës. Pjesë e këtij rendi është bërë në momentin kur është aprovuar ligji në kuvendin e Republikës së Kosovës me mbi dy të tretat e deputetëve për ratifikimin e marrëveshjes së parë që parasheh themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo çfarë edhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, por mund të them edhe marrëveshjet, edhe e para edhe e dyta e garantojnë, është se asociacioni nuk mund dhe nuk do të ketë përgjegjësi ose kompetenca ekzekutive, nuk do të jetë pushtet i tretë dhe tani gjykata e ka sqaruar edhe më shumë edhe statusin e asociacionit, sepse ka thënë që ai do të ketë formën dhe organizimin ashtu siç e ka asociacioni tjetër i komunave në Kosovë. Unë mendoj se kjo duhet të jetë zgjidhje e cila nuk ka më arsye të kundërshtohet nga opozita, sepse është njëfarë vazhdimësie e implementimit të pakos së (Martti) Ahtisaarit, sepse edhe aty parashihet e drejta e bashkëpunimit të komunave dhe organizimit të tyre, por jo si pushtete të veçanta, por gjithmonë në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kur prisni fillimin e hartimit të statutit të asociacionit të këtij asociacioni?

Isa Mustafa: Tani kemi mbetur në procedurë të themelimit të ekipit menaxhues, sepse ashtu është thënë edhe në marrëveshjen e parë. Së pari duhet të themelohet ky ekip menaxhues që do të punojë pastaj në, të themi draftin ose konceptin e statutit, i cili në momentin që e merr formën e tij, mund të diskutohet pastaj në mes palëve, njëherë në nivelin teknik e pastaj në nivelin më të lartë në Bruksel. Por, ne kemi dëshirë të krijojmë një situatë në të cilën do ta angazhojmë edhe opozitën edhe njerëzit nga shoqëria civile në mënyrë që ata të jenë të kyçur si pjesë këshillëdhënëse ose mbështetëse e këtij procesi.

Zëri i Amerikës: Si mendoni t’i bindni ata?

Isa Mustafa: Po ne do të bisedojmë me ta. Do t’ju ofrojmë që të jenë pjesë e kësaj. Unë mendoj se nuk kanë arsye që të kundërshtojnë, sepse është çështja e interesit të vendit. Nëse ata këtë e kundërshtojnë në emër të interesit të vendit, atëherë në emër të interesit të vendit duhet të jenë pjesë e një procesi. Procesi nuk mund të eliminohet, nuk mund të kundërshtohet në tërësi, për arsye se është obligator, sepse e kemi përcaktuar me ligj në vitin 2013 dhe tani atë mund ta kundërshtojmë vetëm nëse kuvendi me dy të tretat e anulon ligjin që e ka aprovuar. Ndryshe edhe qeveria edhe institucionet tjera janë të detyruara që ta zbatojnë ligjin.

Zëri i Amerikës: A keni kontakte me opozitën për të diskutuar qoftë edhe për këto çështje

Isa Mustafa: Nuk kemi pasur kontakte të drejtpërdrejta. Ka pasur biseda më tepër më ndërmjetësimin e organizatave të shoqërisë civile dhe disa përfaqësues diplomatik me disa prej përfaqësuesve të subjekteve politike në parlament. Me sa kam informata nuk është diskutuar në mënyrë specifike kjo çështje e kyçjes së tyre. Por, po ashtu është dhënë si mundësi e koordinimit, bashkëpunimit të palëve të interesuara në këtë proces dhe ne mbesim gjithmonë të hapur dhe të interesuar që edhe opozita të jetë e kyçur edhe këtu. Dhe jo vetëm tek kjo çështje, por të jetë e kyçur edhe tek çështjet tjera që do t’i dialogojmë në Bruksel sepse problemet që na kanë mbetur që t’i zgjidhim me Serbinë, janë probleme që duhet të zgjidhen përmes dialogut, e deshëm apo s’e deshëm, sepse nuk kemi ndonjë mënyrë tjetër dhe jemi përcaktuar për këtë formë dhe në këtë proces do të ishte mirë që të kyçen me kohë të gjitha palët dhe jo pastaj vetëm të reagojnë për arsye politike, pasi që proceset të jenë të përfunduara ose përafërsisht të përfunduara.

Zëri i Amerikës: Pas krijimit të qeverisë së re në Beograd pritet vazhdimi i bisedimeve me Serbinë. Por, zoti kryeministër, duke pasur parasysh pasqyrimin e marrëveshjeve të deritashme të arritura në bisedimet me Serbinë, në zhvillimet brenda Kosovës, cilat janë në fakt përfitimet e Kosovës?

Isa Mustafa: Tani, tensione ka pasur mjaft shumë, probleme ka pasur mjaft shumë dhe dialogu ka qenë shumë i vështirë të zhvillohet. Por, unë mendoj se janë bërë disa hapa që e arsyetojnë shumë atë çfarë ka ndodhur përmes dialogut. Së pari kemi katër komunat ne veri që funksionojnë, janë të organizuara, komunikojnë dhe zbatojnë ligjet e Kosovës. Kemi deputetë në kuvendin e Republikës së Kosovës. Janë zhbërë strukturat e mbrojtjes civile në veri, që kanë bartur një aktivitet që ka qenë joligjor dhe themi para politik dhe kushtimisht edhe një aktivitet paraushtarak dhe pjesën dërmuese të tyre, mbi 400 i kemi inkuadruar në strukturat e vendit. Tani po mundohemi t’i zgjidhim edhe çështjet tjera, ta bëjmë rikonstruimin e urës mbi lumin Ibër dhe ta hapim kalimin në të dyja anët. Janë çështjet tani të kodit telefonik, të cilat janë prolonguar nga pala serbe, nuk po implementohen me kohë, mirëpo ekziston edhe aty vendimi që duhet të bëhet. Çështjet e energjisë. Kemi mundësi tani të dialogojmë edhe për çështje tjera, si transporti ajror, ai hekurudhor dhe zhbërja e plotë e të gjitha strukturave paralele që ekzistojnë. Dhe ne ndryshe nuk do të mund t’i zgjidhnim përpos dialogut. Tani, probleme ka shumë. Probleme ka edhe në procedura të implementimit dhe në prolongimin dhe ikjen nga detyrimet për implementim, por duhet të punojmë që të detyrohen dhe kërkojmë edhe një presion edhe më të madh të BE-së në këtë aspekt.

Zëri i Amerikës: Sa kanë ndikuar këto bisedime në qasjen e Beogradit kundruall Kosovës kur kemi parasysh që ai vazhdon të kundërshtojë edhe përfshirjen e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, siç ishte edhe javën e kaluar kur Kosova u pranua ne UEFA?

Isa Mustafa: Këtu kemi një kontradiktë të sjelljes së qeverisë serbe dhe pushtetit serb, sepse në njërën anë ata prezantohen si shumë kooperativ dhe komunikues pranë komunitetit evropian dhe të tjerët nganjëherë ndajnë përshtypje të tilla, ndërsa në anën tjetër i bllokojnë të gjitha proceset për të cilat janë zotuar, sepse me marrëveshjen e parë, Serbia është zotuar se nuk do ta pengojë Kosovën dhe as Kosova, Serbinë në proceset e integrimeve evropiane. Tani ne kishim një proces shumë konkret të anëtarësimit tonë në UEFA, që është një asociacion evropian i futbollit dhe në të cilin Serbia bëri çdo gjë që të na pengojë dhe për pak nuk ja arriti. Të njëjtën e kanë bërë në UNESCO dhe aty gjenin arsye se UNESCO-ja nuk është organizatë evropiane. Sjelljet e tilla nuk po ndalen Ne do të bëjmë vërejtje edhe në Bruksel. Unë tani i theksova edhe para përfaqësueses së lartë Federica Mogherini dhe komisionarit (Dimitris) Avramopoulos dhe do t’i bartim vërejtjet tona edhe tek zyrtarët tjerë në Bruksel, sepse është vështirë që të vazhdohet me dialogun kundrejt një sjelljeje të tillë që po e manifeston Serbia ndaj proceseve, sepse, ky nuk është normalizim. Normalizimi nënkupton që të respektohen të dy palët, që të punohet në implementimin e marrëveshjeve e jo që me çdo kusht të pengohet njëra palë dhe të shfrytëzohet çdo situatë për pengim.

Zëri i Amerikës: A mund të nxisë kjo ndonjë ndryshim në formatin e deritashëm të bisedimeve?

Isa Mustafa: Sa i përket formatit, në të vërtetë edhe po mendojmë për këtë. Do ta rishikojmë edhe njëherë formatin. Për mua është me rëndësi që të kemi sa më shumë involvim të të gjitha institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës edhe të presidencës edhe të parlamentit, por edhe shoqërisë civile në këtë proces. të shohim mënyrën se si ta kyçim parlamentin më shumë edhe në fazën përgatitore por edhe pasi që të kthehemi nga faza të ndryshme të dialogut në Bruksel, në mënyrë që pastaj vendimet që i marrim aty të jenë të pranueshme edhe për deputetët edhe për qytetarët.

Zëri i Amerikës: Qeveria juaj është kritikuar edhe për zvarritjen e procesit të ngritjes së Forcave të Armatosura të Kosovës. Ju keni paralajmëruar se kjo do të ndodhë së shpejti. Si do ta realizoni këtë kur nuk keni mbështetjen e deputetëve të komunitetit serb, vota e të cilëve është vendimtare për ndryshimet e nevojshme kushtetuese për këtë çështje?

Isa Mustafa: Ne i kemi përfunduar si qeveri të gjitha përgatitjet. I kemi përgatitur ndryshimet kushtetuese dhe ato janë gati. Kemi përgatitur edhe ligjin për Forcat e Armatosura dhe është gati, krejtësisht i harmonizuar me ndryshimet kushtetuese që duhet të dërgohen në kuvend për miratim. Është punuar shumë në përgatitjet e Forcave të Sigurisë që të transformohen në Forcë të Armatosur dhe në këtë rast kemi pasur përkrahje shumë të madhe të SHBA, të shteteve të BE-së por edhe vendeve tjera dhe kemi një forcë që sot është e gatshme të shndërrohet ne Forcë të Armatosur dhe të jetë, të themi, konkurruese me forcat tjera. Kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe me NATO-n, të themi në nivelin që ne mund ta kemi dhe kemi kërkuar që ai të ngritet edhe më tutje. E kemi biseduar me sekretarin e NATO-s këtë çështje dhe me zyrtarët me të lartë të NATO-s që kanë vizituar Kosovën. Edhe me zyrtarë të lartë të SHBA, të departamentit të shtetit. Neve na duhet tani përkrahja edhe e komunitetit ndërkombëtarë për arsye të ndikimit të Serbisë mbi Listën Serbe, që ata të mos ndikojnë më tutje, sepse nuk është në interes as të serbëve, por as të Serbisë që të pengohet ky proces. Formimi i ushtrisë, nuk e rrezikon askënd. Ne do ta kishim një Forcë të Armatosur që do të ishte pjesë e NATO-s nesër, pjesë e paqes dhe sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe bashkëpunuese me të gjithë. Ne i kemi respektuar sugjerimet që na janë dhënë edhe në Uashington edhe në Bruksel, që ky transformim të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe të mos e rrezikojë pajtueshmërinë që është arritur deri tash sa i përket inkuadrimit të pakicave edhe në parlament edhe në institucione tjera të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, kur jemi tek çështjet e sigurisë, një prej shqetësimeve në shkallë botërore është lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, Sa rrezikohet Kosova nga ekstremizmi dhe cilat janë veprimet e saj për të luftuar këtë dukuri?

Isa Mustafa: Mendoj që kemi punuar mjaft shumë në këtë aspekt. Është veçuar Kosova me aktivitet. Ne kemi evidenca se numri i atyre që janë në konfliktet e jashtme është duke rënë mjaft shumë, në krahasim me atë që ka qenë më parë. Kemi evidenca që për shtatë muajt e fundit nuk është regjistruar asnjë shkuarje ndonjë qytetari të Kosovës në konfliktet e jashtme, ose bashkim në ato konflikte si në Irak ose vendet tjera. Kemi aprovuar ligjin, vitin e kaluar që sanksionon ose parandalon shkuarjen e njerëzve tanë dhe bashkimin në konflikte të jashtme dhe përcakton masat që do të merren ndaj individëve të tillë. Kemi aprovuar po ashtu strategjinë në qeveri kundër ekstremizmit dhe kundër terrorizmit që tani po implementohet. Po bashkëpunojmë edhe me SHBA edhe me vendet tjera rreth konkretizimit të mënyrave të implementimit të saj, mirëpo po mundohemi që këtë ta shtrijmë në një rrafsh më të gjerë të përfshirjes edhe të shkollave edhe të bashkësive fetare, të shoqërisë civile, të qytetarëve, të bizneseve, në mënyrë që të jetë preokupim i të gjithëve. Dhe mendoj se në këtë aspekt e kemi situatën shumë më mirë sesa përpara. Kemi një bashkëpunim të organeve të inteligjencës me të gjitha vendet fqinje dhe ky bashkëpunim ka ndikuar që të parandalohet çdo shkuarje ose tentim i shkuarjes së qytetarëve tanë në ato konflikte dhe unë mendoj se nuk e kemi situatën e rrezikshme sa i përket kësaj, duke përfshirë edhe masat që i ka marrë policia, gjyqësia, prokuroria ndaj disa individëve që më parë janë shquar si zëdhënës të asaj që t’i mobilizojnë ose t’i organizojnë njerëzit për të shkuar në këto konflikte.

Zëri i Amerikës: Kushti tjetër i vendosur nga Komisioni Evropian lidhur me liberalizimin e vizave është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sa mund të bindë Kosova partnerët e saj evropian se është duke vepruar në këtë drejtim?

Isa Mustafa: Tani në Kosovë gjithmonë është thënë se është përcepcioni i lartë lidhur me korrupsionin por edhe me krimin. Do të thotë, është stigmatizuar në një formë Kosova në këtë aspekt. Tani ne kemi nevojë të tregohemi dhe ta heqim këtë nga vetvetja në mënyrë që Kosova të mos jetë e shënjuar se është vend i korrupsionit, një vend i krimit. Unë edhe më parë jam shprehur se do të ishte shumë më mirë që krahas asaj se marrim opinione lidhur me korrupsionin, të marrim edhe informata të sakta se ku kemi raste të korrupsionit, në qeveri, në institucionet e pavarura në agjenci, në kompani publike dhe që këtë, kushtimisht të themi, kulturë, ta evitojmë dhe ta çrrënjosim. Unë shoh se kohëve të fundit po ndërmerren më shumë masa. Ne kemi marrë në qeveri masa edhe sa i përket ndryshimit të ligjit për prokurimin publik edhe instalimit të prokurimit elektronik edhe disa ndryshime në organet që janë të lidhura me fushëveprimet e prokurimit. Kemi ndërmarrë masa po ashtu edhe në qeveri, që të gjithë ata zyrtarë që kanë qenë ose ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza, të suspendohen nga puna, në mënyrë që t’i përmbushim të gjitha kushtet ligjore dhe do të veprojmë edhe më tutje në këtë aspekt. Mirëpo, unë mendoj se edhe prokuroria tani edhe policia po e bëjnë mirë punën e tyre. Kanë filluar të shqyrtojnë më shumë raste, kanë filluar të ashpërsojnë luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit. Dhe mendoj se jemi në një rrugë të mirë në të cilën jam i bindur se do të përmbushim kërkesat e BE-së edhe lidhur me këtë fushë. Por, kjo fushë nuk e ka kufirin e vet, sepse nuk mund të themi se ne e përmbushim këtë në këtë numër të njerëzve të cilët dyshohen, ndaj të cilëve ngrihen aktakuza ose të cilët arrestohen ose gjykohen, por me rëndësi është qe ne ta ngrisim nivelin e reagimit të institucioneve ndaj rasteve të tilla dhe ky reagim mendoj se është shumë më i mirë tani sesa ka qenë më parë.

Zëri i Amerikës: Çfarë janë marrëdhëniet ne koalicionin qeverisës pas ndryshimeve tek Partia Demokratike? Çfarë ndryshimesh mund të sjellin në qeveri ndryshimet e saj?

Isa Mustafa: Mendoj se marrëdhëniet janë stabile, ashtu siç kanë qenë edhe më parë. Bashkëpunimi është korrekt. Në do të mundohemi tani që të punojmë edhe më tutje në ndryshimet që duhet t’i bëjmë edhe në sjelljet tona edhe në aktivitetet tona.

Zëri i Amerikës: A mund të pritet riformatim qeverie për të cilën është folur shumë kohët e fundit?

Isa Mustafa: Tani ne do t’i kemi ndryshime fillestare më tepër në aspektin e plotësimit të vendeve të cilat janë liruar, ose nuk janë plotësuar akoma me shkuarjen e zotit (Hashim) Thaçi nga pozita e zëvendëskryeministrit në pozitën e presidentit të Kosovës. Çështjen e riformatimit e kemi lënë si çështje e cila duhet të vazhdojë gjithmonë, në harmoni me analizën ose vlerësimin e performancës që do ta bëjmë për çdo ministër, për cdo ministri, për çdo zëvendësministër dhe këtë do ta bëjmë. Mirëpo, unë mendoj se duhet ta sjellim ligjin mbi qeverinë dhe do të punoj së bashku me partnerin kryesor të koalicionit, PDK-në dhe zotin (Kadri) Veseli, që të shohim se si ta parashohim organizimin e mëtutjeshëm të qeverisë në bazë të ligjit, duke nënkuptuar edhe numrin e ministrive që do të kemi edhe organizimet edhe përgjegjësitë e veçanta që duhet t’i caktojmë këtu, që mendoj se duhet të bëhet edhe në frymën e reformatizimit të qeversië, sepse kemi pasur shumë kritika sa i përket madhësisë së qeverisë, numrit të madh të ministrive, të ministrave, të zëvendësministrave, të cilat natyrisht që kanë qenë shumë të arsyeshme. Unë mendoj se duhet të gjejmë mënyrën e organizimit e cila do të angazhojë çdonjërin që është i kyçur në qeveri që ai të jap rezultate karshi angazhimit të tij, por që edhe qeveria të jetë më efikase dhe më e koncentruar.

Temat
LajmeVend

Të afërta