Një turist do të dalë para gjyqit në Portugali pasi aksidentalisht shkatërroi një statujë 126-vjeçare teksa përpiqej të bënte një ‘selfie’.
24-vjeçari, identiteti dhe kombësia e të cilit nuk bëhet me dije, ishte ngjitur pranë statujës së famshme të mbretit portugez Dom Sebastiao, në stacionin e trenit në Lisbonë, raporton Reuters.
Por, pasi i ishte afruar pranë statujës, 24-vjeçari kishte rrëshqitur, duke u mbajtur te skulptura, të cilën e kishte hedhur poshtë duke e ndarë në disa copa.
Turisti raportohet se është përpjekur të largohet nga vendngjarja, por është arritur nga policia që e ka vënë menjëherë në pranga. Statuja e shkatërruar i ishte kushtuar mbretit portugez, Dom Sebastiao që ka mbretëruar mes viteve 1557 dhe 1578.
Figurë legjendare, por edhe tragjike në historinë e Portugalisë, mbreti u vra në betejën e famshme të “Tre mbretërve”, në veri të Marokut, në moshën 24-vjeçare.