Haradinaj: Protestën e bëjmë madhështore edhe pa Vetëvendosjen!

Arbenita Marmullaku, Botapress, 12 maj – I pyetur nga Botapress, se a do të jetë e fuqishme protesta e 14 majit edhe pa pjesëmarrjen e Vetëvendosjes Haradinaj tha shkurt: Po, protesta e 14 majit do të jetë më e madhja deri më tani”.

Partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA deri më tani kanë protestuar bashkë, por me 14 maj nuk do të bëjnë të njëjtën gjë.

Lëvizja Vetëvendosje zyrtarisht ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesëmarrëse në protestën e organizuar nga AAK-ja dhe Nisma për shkak se sipas tyre kjo protestë është organizuar pa u konsultuar me ata si parti më e madhe opozitare.

Por pse u përqanë partitë opozitare? A ishte kjo protestë një arsye për prishje të bllokut opozitar?

Botapress, ka kontaktuar zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës të cilët kanë thënë së protesta do të jetë më madhështore dhe krejt paqësore, për shkak se nuk do të merr pjesë Vetëvendosje.

I Pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se do të ketë protestë të madhe më 14 maj.

I pyetur se a do të jetë e fuqishme protesta e 14 majit edhe pa pjesëmarrjen e Vetëvendosjes Haradinaj tha shkurt: Po, protesta e 14 majit do të jetë më e madhja deri më tani”.

Ndërsa deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, bëri të ditur se qytetarët pa ngjyrime politike çdo ditë e më shumë po e vërtetojnë se do të ketë një protestë të fuqishme.

“Gjithsesi do të jetë një protestë shumë e fuqishme, ketë çdo ditë po na e vërtetojnë qytetarët e shumë edhe pa ngjyrime politike. Protesta do të jetë paqësore e cila është kërkesë edhe shumë qytetarëve në vazhdimësi” , tha Haxhiu.

Poashtu edhe deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj tha se në protestën e 14 majit do të marrin pjesë edhe gra e fëmijë e që do të thotë se pjesëmarrja e protestuesve do të jetë masive.

“Ne kemi çdo ditë takime mobilizuese anë e mbanë Kosovës, ku në të gjitha këto takimet po shifet një klimë e mirë për protestë. Të gjithë po e shfaqin gatishmërinë që të marrin pjesë në mënyrë masovike. Do të marrin pjesë me gra e me fëmijë. Pasi që Vetëvendosje nuk është pjesëmarrëse po dihet se protesta do të jetë paqësore” tha Brahimaj për Botapress i cili ka ftuar të gjithë qytetarët për protestë duke I siguruar se gjithçka do të jetë e qetë dhe paqësisht.

Edhe Bilall Sherifi nga Nisma ka thënë se janë duke u angazhuar për një protestë masive.

“Ne jemi duke u angazhuar në terren që protesta të jetë dinjitoze dhe masive. Besojmë që përderisa arsyet për protestë nuk kanë pushuar dhe qytetarët do t’i përgjigjen në mënyrë masive” tha Sherifi, për Botapress.

Temat
LajmeVend

Të afërta