Pajtim Kasami ka lënë gjurmë shqiptare në festën e Cërvena Zvezdës së Beogradit, e cila u shfrytëzua për të kundërshtuar pranimin e Kosovës në UEFA.
Ndeshja festive ndërmjet Cërvena Zvezdës së Beogradit dhe skuadrës greke Olympiacos u zhvillua të dielën mbrëma në stadiumin “Rajko Mitiq” (ish-Marakana) në Beograd, ndërsa u përcoll nga mbi 21 mijë shikues, shkruan Koha Ditore.
Ndeshja u organizua për të festuar titujt e Zvezdës, që u shpall kampion i Serbisë, dhe Olympiacosit që u shpall kampion i Greqisë. Këto dy klube janë të vëllazëruara dhe luajnë rregullisht ndeshje miqësore.
Para fillimit të ndeshjes, në tribunën veriore, tifozët e Zvezdës, të njohur si “Delije”, kanë shpalosur një koreografi për të kundërshtuar pranimin e Kosovës në UEFA. Janë paraqitur katër shkronja të mëdha “UEFA” dhe poshtë tyre është vënë panoja me fjalinë në gjuhën angleze: “përkrah terrorizmin”. Grupet e tifozëve serbë vazhdimisht janë kundër Kosovës dhe ndeshja është parë si rast për të paraqitur bindjet e tyre.
Por ishte futbollisti shqiptar që luan për Zvicrën, Pajtim Kasami ai që pati gëzimin e fundit. Ai u aktivizua si zëvendësues, ndërsa shënoi golin e fundit në ndeshje, atë për 2:2. Kasami realizoi me goditje me kokë në minutën e 56-të, duke ia mohuar fitoren skuadrës serbe.