Basha: Inflacioni i ulët, konfirmim i krizës ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një deklarate ka denoncuar se, fuqia blerëse e shqiptarëve dhe konsumi vazhdojnë të bien në rënie të lirë.

“Sipas INSTAT-it nën kontrollin qeveritarm, norma vjetore e inflacionit për muajin prill 2016 rezultoi 0.3%, tregues i kërkesës së dobët. Ndërkohë që edhe dy muajt e mëparshëm kanë rezultuar përkatësisht 0.2% dhe 0.3%”, ka deklaruar Basha.

Por edhe pse inflacioni është shumë i ulët, ka vijuar ai, çmimet që prekin shqiptarët janë rritur e konkretisht për shërbimin arsimor me 4.8%, për frutat me 22.3%, për zarzavatet me 6.1%.

“Shifrat qeveritare, edhe pse të kuruara, rikonfirmojnë atë që çdo shqiptar e ndjen në lëkurë dhe e ka të shkruar në sy: krizën e thellë ekonomike, papunësinë dhe varfërinë, që janë pasoja të drejtpërdrejta të korrupsionit dhe vjedhjes qeveritare në tatime, dogana dhe prokurime, si dhe e taksave të larta dhe arbitraritetit të pafre ndaj biznesit dhe fermerëve”, ka thënë Basha.

Zgjidhja për këtë situatë, sipas tij, është Shqipëria e taksave të ulëta, që lufton korrupsionin në dogana e tatime dhe do t’i kthejë frymëmarrjen financiare konsumatorit dhe biznesit.

“Zgjidhja është Shqipëria që investon buxhetin për rroga dhe pensione më të larta, subvencione për bujqësinë dhe vende të reja pune përmes investimeve publike dobiprurëse dhe jo luks qeveritar e palma korrupsioni. ‎Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Basha. /Telegrafi/

Temat
LajmeRajon

Të afërta