Reagon Koço Kokëdhima për heqjen e mandatit të deputetit

Deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima do të presë vendimin e zbardhur dhe të arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese, për të kuptuar përse këtë të hënë u vendos që t’i hiqet mandati i deputetit.
Duke mos komentuar integritetin e Gjykatës, për të cilën shprehet se është e influencuar politikisht, Kokëdhima thotë se nuk do të lë rrugën e politikës, qoftë me apo pa mandat deputeti qoftë. Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, deputeti i majtë nuk lë pas edhe falenderimet për mbështetësit e tij, që siç shprehet ai kanë qenë të shumtë dhe nga të gjitha anët e Shqipërisë ata që i kanë dërguar mesazhe.

Ishte kërkesë e Partisë Demokratike që Gjykata Kushtetuese të shqyrtonte kushtetueshmërinë e mandatit të deputeti Kokëdhima, me akuzën se ka përfituar fonde publike përmes kompanive të tij, duke qenë njëkohësisht deputet. Akuzat nuk janë pranuar asnjëherë nga Kokëdhima.

Statusi ne Facebook:

Sot Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës së PD për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit tim të Deputetit. Nuk do të bëj asnjë koment rreth vlerësimeve tona për integritetin e Gjykatës, profesionalizmin apo për influencimin e saj në këtë proces tërësisht politik, qysh në nisjen e tij 2 vjet më parë. Do te presim vendimin e arsyetuar, për të kuptuar më mirë dhe plotësisht natyrën e këtij gjykimi. Në këto orë, kam marrë qindra mesazhe nga të gjitha anët e Shqipërisë, por veçanërisht nga socialistët e bazës dhe mbështetësit e Partisë Socialiste, nga miqtë dhe të njohurit e mi. I falenderoj nga zemra për solidaritetin e treguar. Me apo pa mandat Deputeti, unë do të punoj pa u reshtur për Ju dhe për një Shqipëri më të mire. Gjithe jetën time kam punuar me pasion për nje jetë më të mirë jo vetëm për familjen time. Rruga ime në politikë nuk mbaron këtu. Ajo është vetëm në fillimet e saj./Gazeta Express

Temat
LajmeRajon

Të afërta