Enver Hasani humb betejën për imunitet edhe me Supremen

Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për rastin që Enver Hasani akuzohet për falsifikim.

“Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është hedhur si e palejueshme”, ka thënë për KTV-në Antigona Uka – Lutfiu, zëdhënëse e Gjykatës Supreme.

Mbrojtja e Enver Hasanit e kishte sfiduar vendimin e Gjykatës së Apelit, sipas të cilit i ishte lënë në dorë Themelores të vendosë për imunitetin funksional të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

“Mendoj se së pari duhet të zgjidhet imuniteti funksional për zotëri Hasanin dhe imuniteti për dëshmitarin Robert Carolan e më pas të shkohet tutje”, ka thënë Bajram Tmava, avokat i Enver Hasanit.

Gjykata Themelore, së cilës i ishte kthyer rasti për vendosje edhe për çështjen e imunitetit, nuk ka dhënë ndonjë sqarim të qartë se çfarë do të ndodhë me rastin e Hasanit.

Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë vendimin e Themelores, sipas të cilit, Enver Hasani nuk mund të hetohej për shkak të imunitetit funksional.

Por, Gjykata e Apelit kishte vlerësuar me një vendim pas ankesës së Prokurorisë Speciale se meqenëse është ngritur aktakuzë, çështja e imunitetit duhet të vendoset në Gjykatën e shkallës së parë.

Temat
LajmeVend

Të afërta