Sherifi: Simpatizantët e Vetëvendosjes do të jenë në protestën e 14 majit

Megjithëse pa Vetëvendosjen, dy partitë opozitare presin pjesëmarrje masive në protestën e 14 majit. Madje ka nga ata që mendojnë se kësaj proteste, do t’i bashkëngjiten edhe votuesit e simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse krerët e kësaj partie kanë vendosur që të mos jenë pjesë e protestës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën beson që votuesit dhe mbështetësit e VV-së do të marrin pjesë në protestë, sepse është në natyrën e mbështetësve të VV-së, që të marrin pjesë në protesta kundër Qeverisë.

Sherifi thotë se nuk mund ta marrë me mend që një ditë kur protestohet kundër kësaj qeverie, përkrahësit e VV-së, të rrinë në shtëpi dhe të mos protestojnë.

“Unë mendoj që VV ende ka kohë që të rreshtohet përkrah protestave. Ende ka kohë që t’i bëj ftesë anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve të saj të marrin pjesë në protestë. Mirëpo, mendoj që protestuesit e VV –së, anëtarët simpatizantët, votuesit e VV, gjithsesi do të marrin pjesë. Së paku besoj që do të marrin pjesë, sepse ata nuk mund të besoj që do të ketë një protestë në një ditë të mirë në Prishtinë, më 14 maj dhe ata rrinë në shtëpi, duke pas parasysh që të gjithë janë kundër këtij regjimi, kundër kësaj Qeverie, kundër kësaj forme të mbajtjes së pushtetit me dhunë. Sepse tani ata po e mbajnë pushtetin me forcë, kjo qeveri. Mendoj që ata edhe nëse nuk i fton VV, nuk i ftojnë drejtuesit e tyre, unë pres që një numër i konsiderueshëm i tyre të marrin pjesë. Jo për hatër tonë, as për hatër të VV, po thjeshtë të japin kontributin e tyre kundër kësaj qeverie. Pres dhe jam shumë optimist se edhe një numër prej tyre do të marrin pjesë“, tha Sherifi.

Ai shtoi se pret që protesta të jetë masive, po aq sa ishin dhe protestat e kaluara.

“Nuk e di se si do të jetë, por ne do të bëjmë çdo gjë që është në mundës inë tonë që protesta të jetë sa më e fuqishme dhe sa më masive. Se si do të jetë, do të varet sa qytetarë do t’i përgjigjen organizatorit. Shpresojmë që të gjithë ata, apo një numër i madh i atyre që kanë marrë pjesë në dy protesta masive, sërish do të jenë në shesh për të protestuar kundër kësaj Qeverie”, tha ai.

Ndërkaq, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk deshën që të prononcohen në lidhje me këtë.

Frashër Krasniqi, nga Vetëvendosja i pyetur rreth pritjes së partive tjera opozitare, që në protestë të ketë edhe mbështetës të VV-së, tha se nuk do t’i komentoi deklaratat e tilla.

“Nuk po dua t’i komentoj as këto deklarata, as asgjë që ka të bëjë me protestën e 14 majit, pasi që i kemi thënë të gjitha në lidhje me këtë“, ka pohuar ai.

Lidhur me këtë temë nuk kanë dashur të flasin as në AAK./Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta