Mustafa premton ushtri evropiane

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke marrë pjesë në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të degës së LDK-së në Mitrovicë, ka siguruar se LDK-ja, “si një shtëpi e madhe e ngritur dhe e themeluar nga vizionari dhe themeluesi i pavarësisë, dr. Ibrahim Rugova, fryma, puna dhe kontributi i të cilit vazhdon edhe sot të japë fryte të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit”, do të vazhdojë të punojë për ndërtimin e shtetin të Kosovës. Ai shtoi se edhe në takimet ndërkombëtare vazhdon të përmendet fryma dhe vizioni i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova

Kryeministri Mustafa nënvizoi se LDK-ja vazhdon të punojë në ndërtimin e shtetit, krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm, rritje të punësimit dhe të investimeve, integrimin evropian dhe menaxhimin e mirë të vendit.

“Jemi në javën e dy ngjarjeve me rëndësi për vendin tonë, liberalizimin e vizave dhe lirisë së lëvizjes sikurse edhe pranimin e vendit në asociacionin ndërkombëtar të futbollit, UEFA. Këto janë të arritura që duhen vlerësuar, aq më parë që kemi bërë Serbinë që të ankohet, por do ta ketë të kotë, pasi ne u bëmë pjesë e një familjeje ku e kishim vendin”, tha kryeministri Mustafa, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.

Ai siguroi se tani do të fillojë realizimi i premtimeve për “Trepçën” dhe për Mitrovicës.

“Tani do të fillojmë me Ligjit për ‘Trepçën’ për t’i ruajtur pasuritë dhe kapitalin e njerëzve tanë dhe të përdorim për të mirën e vendit, po ashtu po punojmë për krijimin e ushtrisë së Kosovës që do jetë ushtri e nivelit evropian dhe e pranuar në NATO”, siguroi Mustafa.

Ai ka përgëzuar të gjithë simpatizuesit, anëtarët dhe drejtuesit e degës së LDK-së në Mitrovicë për punën, duke i inkurajuar për vazhdimin e mbështetjes dhe punës drejt sukseseve të ardhshme.

Në shënim të 26-vjetorit të themelimit të degës së LDK-së në Mitrovicë merrnin pjesë edhe ministrat Arban Abrashi e Haki Demolli, si dhe deputetët Sadri Ferati e Armend Zemaj, ndërkohë që kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, i cili është edhe nënkryetar i Mitrovicës, tha se ky përvjetor po shënohen në kohën e rezultateve dhe sukseseve të qeverisjes së mirë të LDK-së më të mëdha për vendin, e cila siç tha ai “ka bërë kthesë në zhvillim, punësim, menaxhim të mirë dhe krijimin e jetës më të mirë të qytetarëve”.

“Të gjitha këto rezultate, përfshirë edhe ato në bashkëqeverisjen komunale janë fryt i punës së palodhshme të anëtarëve të LDK-së, angazhimit të pakursyer të tyre në frymën e vizionarit dhe themeluesit të shtetit tonë, dr. Ibrahim Rugova”, tha Kamberi, duke shtuar se sukseset janë edhe pjesë e kontributit dhe punës së çmuar të themeluesve të LDK-së në Mitrovicë./Zëri/

Temat
LajmeVend

Të afërta