Krasniqi i kundërpërgjigjet Molliqajt: Kundërshtarët nuk i konsideroj armiq, nuk i frikësohem ballafaqimit!

Deklarata e sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, se dy liderët e “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi po rikthehen në PDK me ndërmjetësim të AAK-së, ka nxitur reagimin nga ish-kryeparlamentari.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën, Jakup Krasnqi, i është kundërpërgjigjur Molliqajt duke thënë se kundërshtarët politik nuk i konsideron armiq.

Ai, në një prononcim për Indeksonline, ka thënë se është i gatshëm të ballafaqohet me çdo njërin prej figurave politike.

“Për të ardhur në përfundime të tilla, njeriu që pesë vite do të duhej mos të kishte lexuar e dëgjuar asnjë lajm, ose do të duhej të ishte i shurdhtë dhe i verbër. Kundërshtarët politikë nuk i konsideroj armiq. Nuk i frikësohem asnjë ballafaqimi, me akëcilin njeri”, është shprehur ai.

Ndryshe, sekretari organizativ i LVV-së, Dardan Molliqaj, ka shkruar sot për NISMA-dhe dy liderët saj Fatmir Limaj e Jakup Krasniqin rreth bashkimit të Nismës me AAK-në e Ramush Haradinajt.

“Ata ngadalë por sigurt po rikthehen në PDK me ndërmjetësimin e AAK-së. Madje, tash nuk e kanë më pengesë Veselin sepse ai ka lëvizur nga pozita e dytë për t’u bërë kryetar partie”, ka shkruar ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta