KONVENTAT PARTIAKE JANË MANIPULIM TEJET I SOFISTIKUAR MEDIATIK ME QYTETARINË!

1. Kriza nga transformimi i partive politike ndër shqiptarët, duket që akoma mbetet një punë “Sizifi” edhe me faktin se ato akoma koegzistojnë me krimin dhe korrupsionin. S’ këndejmi, është shumë vështirë që këto krijesa “centaur”, me origjinë tipike oligarkike, gjatë periudhës së tranzicionit të bëhen bartëse dhe artikuluese të njëmendta të shtetësisë dhe pushtetit të njëmendët demokratik.

2. Etika e krizës së tyre, duket që rrjedhë nga pasojat e aferave korruptive, skandaleve në nivel lokal dhe qendrorë, pastaj nga; klientelizmi,konformizmi, servilizmi ndaj liderit partiak, dhe pamëdyshje nga teknikat e rrenave dhe mashtrimeve që ato i “ushtrojnë” gjatë fushatave elektorale e qeverisjes.

3. .Në fakt, shenjat dominuese që e dëshmojnë decidivisht krizën brendapartiake që “prodhon” si pasojë të mungesës së; vizionit qeverisës, platformës dhe programit alternativ , janë ngarrisja kah krijimi i një lidershipi me pretendime karizmatike, ku më së miri dhe me së lehti fshihen të metat dhe dobësitë; organizative, aferat korruptive dhe padyshim klientelizmi financiar….etj.

4. Vetëm Partitë politike, që dëshirojnë të mbajnë në ilegalitet të plotë aferat, skandalet, mashtrimet parazgjedhore, orientohen për konventa sociale dhe forma tjera formale të përzgjedhjes së lidershipit. Ku konkurrenca maksimalizohet në formalitet dhe manipulim medial edhe elektoral. Ngase, përmes tyre, ato bukvalisht blejnë kohën e duhur për ta stërzgjatur si manipulimin, ashtu edhe perceptimin e rrejshëm mbi proceset dhe zhvillimet

5. Kolonizimi dhe kontrolli i politikës mbi mediet, sot qytetarisë akoma infantile të pothuajse shumicës së vendeve të tranzicionit, e sidomos atyre që s’janë akoma në kuptimin e plotë; as të pavarura, as shtete, e as demokratike, e ka mundësuar defilimin e dominimit të; spektakleve në formë konventa e, ku demokraci e brendshme “vritet” me vetëdije, banalizimit të skajshëm të skandaleve dhe aferave korruptive, dhe joshjes së elitave intelektuale dhe shoqërisë civile me “kulaçin” e privilegjeve dhe premtimeve boshe në vendimarrjet e ndryshme me “yndyrë” kinse qytetare dhe kombëtare!.

6. Në një ambient të tillë të emancipimit politik të qytetarisë, çfarë e kemi aktualisht ne shqiptarët e Ballkanit, etosi medial partiak ka ndikim të jashtëzakonshëm në urtësimin dhe padyshim manipulimin e partive politike (sidomos të atyre të tipit “makiavelist”, që zejen e mjegullës e kane bë zanat, prej nga e sigurojnë këtë manipulim!

7. Gjithsesi, këtë “zhveshje transparente”të shumicës së partive politike nga skena jonë politike, duhet këndvështruar edhe nga prizma e proceseve globalizuese, ku ato me intencat e tyre improvizuese, pa u hy fare konkurrencave lojale, pra pa votime të fshehta për lidershipat e tyre partiak, vetëm sa e rimohojnë rregullën dhe parimin elementar të demokracisë…atë të drejtës për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur në forumet partiake. Natyrisht, tek një qytetari emancipuese, pra tek një elektorat konsistent për nevojat dhe kahjet ideologjike, kjo mënyrë (pa konkurrencë transparente) e përzgjedhjes së lidershipëve partiakë, asesi s’do kalonte… Mjerisht, në shoqëritë shqiptare, kjo tashmë është praktikë dhe rutinë morbide për ta mbajt, dhe padyshim ushtru pushtetin, me gjitha privilegjet që ai ofron…

shkruan: Fadil Maloku, sociolog

Temat
Opinione

Të afërta