Këtë të diel është gjendur trupi i pajetë i 50 vjeçarit Shpëtim Shala, i cili gjendej i dergjur në makinën e tij të tipit Volkswagen.
Ekzekutimi me 3 plumba ka ndodhur në zonën e njohur të plazhit të Durrësit, të quajtur Iliria, përcjell javanews.
Biznesmeni është një emër jo i panjohur për efektivët e policisë, pasi Shala është proceduar penalisht para disa vitesh për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve të deritanishme, pista kryesore mbetet ajo e vrasjes për hakmarrje.
Precedentët penalë të Shalës:
Shala është proceduar gjatë vitit 2011 për kultivim e trafikim narkotikësh pasi në një operacion policor në lokalin pronë e tij Bilardo pranë plazhit “Iliria” blutë sekuestruan një sasi cannabis.
Por për këtë procedim Shala kaloi një kalvar 4 vjeçar me gjyqësorin shqiptar por gjithmonë në gjendje të lirë dhe në 2015 Gjykata e Lartë la në fuqi pafajësinë e dhënë nga Apeli i Durrësit dhe pse Prokuroria kish kërkuar dënimin e tij.
Shala rezulton i shoqëruar disa herë nga policia për ngjarje të ndryshme kriminale në Durrës, por asnjëherë përfshirja e tij direkte nuk është faktuar çka ka sjellë lënien e tij të lirë deri më 8 Maj 2016 kur dhe u ekzekutua në lagjen Iliria në plazhin e Durrësit.
NJOFTIMI I POLICISE
Me datë 08.05.2016, në lagjen Nr. 13, Plazh, në një rrugicë, në mjetin tip Volfswagen me targa AA 086 HJ, është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi: Sh.Sh.50 vjeç, banues në Durrës. Në vendngjarje ndodhen Efektivat e Policisë, të cilët po punojnë për zbulimin e shkaqeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.