Miku i Lushtakut, Rukolli: Ndërhyrja ishe e dhunshme, lokalin e kemi liruar

Rrustem Rukolli pronari i BAB CLUB ka qenë i ftuar në Orën e Fundit në Klan Kosova për të folur rreth objektit që sot i është sekuestruar në aksionin që është zhvilluar me urdhër të Prokurorit në bashkëpunim me Policinë.

Miku dhe koordinatori i Sami Lushtakut, kryetarit të Skenderajt ka qenë në listën e uzurpatore të publikuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Rukolli që nga viti 2011 ka shfrytëzuar objektin BAB CLUB i cili gjendet afër Grandit, ka thënë se sot ndërhyrja e policisë në këtë objekt sipas tij ka qenë e dhunshme.

“Ne të gjithë ishim dëshmitar të një ndërhyrje spektakulare. Unë po konsideroj se një ndërhyrje e tillë e armatosur ka qenë e dhunshme”.

Madje Rukolli ka thënë se lokalin e kanë liruar një javë më parë kur edhe e kanë marrë njoftimin se ai duhet të lirohet.

Rukolli ka treguar procedurat si kanë rrjedhur rreth këtij objekti.

“Atë kohë ka qenë pronë e Rilindjes. Lokalin që e kam blerë ka qenë 100 metra, dhe tjetrin që e kam marrë me qera ka qenë 100 metra por të dyja kanë funksionuar si një njësi”.

“Më pas AKP-ja e ka nxjerrë në shitje lokalin që unë e kam pas në shfrytëzim prej Rilindjes. Personi tjetër ka ofrua çmim më të shtrenjtë dhe e ka blerë”.

“Aty nuk ka pasur kufi dhe nuk është ditur saktë se cila pjesë e kujt është”.

Rukolli ka thënë se çështja për këtë pronë tashmë është në gjykatë dhe se ata do të veprojnë bazuar në vendimin e gjykatës.

Pronari i BAB CLUB ka shprehu habi se si shteti ka bërë drejtësi selektive për këto objektet disa prej të cilave janë sekuestruar sot.

“Është e çuditshme ndërhyrja e organeve, është ndërhyerja e shpejtë. E njëjta procedurë është duke u zhvilluar edhe me objektin e PDK-së e parti tjera, pse ato nuk janë sekuestruar”.

Rukolli e ka konfirmuar se e ka mik të mirë Lushtakun, por ka thënë se fuqia e Lushtakut nuk ka ndikuar në bizneset e tij.

“Është më se e vërtetë se jemi miq të mirë më Lushtakun, është njeri shumë i fuqishëm, fuqia e tij është në rrafsh tjetër, te elektorati te populli, por jo fuqia me policinë, prokurorinë, gjykatën”.

“Jemi miq – jeta jonë në biznes ndahet, nuk kemi asgjë të përbashkët në biznes përpos shoqërisë”, ka thënë Rukolli, ndonëse ka pranuar se herë pas herë i ndihmojnë njëri-tjetrit për çështje të ndryshme.
“Unë e kam ndihmuar me koordinimin e avokatëve të tij”.

Madje në lokalin që sot është sekuestruar nga shteti, Rukolli thotë se bashkë me Lushtakun e vizituan vetëm natën e parë kur është hapur ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta