Kadri Veseli si kryetar i PDK-së, premton zhvillim ekonomik

Me t’u zgjedhur kryetar i partisë më të madhe në vend, Kadri Veseli, në fjalën e tij të parë para delegatëve nisi fjalimin me falënderim për besimin që iu dha.
Veç falënderimit ndaj delegatëve, Veseli pati falënderim special për ish-kryetarin e PDK-së tani edhe president i vendit, Hashim Thaçi.

“Jeta më ka mësuar se asgjë më të shenjtë nuk ka se sa besimi i njeriut. Faleminderit për këtë besim do të jem përherë mirënjohës. Dua që në fillim të theksoj falënderimin tonë të përbashkët menjëherë për njeriun që themeloi, forcoi, zhvilloi, fitoi për Partinë Demokratike të Kosovës, për shtetin e Republikës së Kosovës, ish kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Do të fillojmë menjëherë të punojmë, aty ku i kemi punët mirë do të punojmë edhe më mirë, aty ku kemi ngecje do të përmirësohemi, do të pranojmë gabimet dhe do të ecim përpara në mënyrë Partinë Demokratike të Kosovës ta forcojmë për shtetin e Kosovës, për qytetarin e Kosovës fitore të sigurt”, është shprehur Veseli.

Veseli gjatë fjalimit të tij është shprehur se për PDK-në dhe për të qëllim do të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve në mënyrë që vendi të jetë më i fuqishëm dhe në arenën nërkombëtare. Ai tha se kjo arrihet duke synuar zhvillimin ekonomik.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, për secilin prej nesh edhe për mua më së shumti, qëllim do të jetë se si të ia përmirësojmë jetën qytetarëve tonë, se si me pas jetë më të mirë, sigurim shëndetësor, edukim më cilësor vende, pune për të rinjtë, se si vendi ynë të jetë më i fuqishëm dhe më i zhvilluar si identitet në botën globale, Bashkim Evropian. Ne kemi nevojë shumë punë për të bërë bashkërisht dhe për këtë jam shumë i sigurt që nëse të vazhdojmë të jem si ishim sot në këtë konventë, t’i flasim hapur njëri tjetrit, ta shtyjmë ta forcojmë aty ku e ka mirë, dhe në të njëjtën kohë t’i themi ngadalë ku e kemi gabim dhe ta largojmë atë i cili na dëmton. Të afrojmë edhe më shumë të rinj dhe jam shumë i sigurt që Partia Demokratike e Kosovës, do të vazhdoj qëllimin e vetë, vizionin e vetë për qytetarin e Kosovës dhe për Republikën e Kosovës”, ka deklaruara Veseli.

Ndërkohë gjatë ditës, Hajredin Kuçi është shprehur i bindur se nga kjo Konventë, PDK do të dalë më e fuqishme dhe se do të përcaktojnë orientimin e kësaj partie, duke shtuar se PDK është rritur dhe ka forcuar besimin e qytetarëve.
Gjithashtu, ai tha se është i sigurt që PDK do të vazhdojë mbajë dyert hapur për vullnet dhe ideja të reja, pasi skena politike edhe sot ka nevojë të definohet.

Fjalët e mira për Partinë Demokratike, nuk munguan as nga nënkryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj.

Ai ka deklaruar se nga kjo Konventë, PDK do të dal në një mision të ri, nga shtetësia në zhvillim.
Hoxhaj në Konventën e jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së, ka lavdëruar Kadri Veselin, duke thënë se është lider që mund ta vazhdojë misionin e ri.
Gjithashtu, nënkryetari i PDK-së Hoxhaj, në këtë konventë të jashtëzakonshme zgjedhore, ka lavdëruar Kadri Veselin, duke thënë se është lider që mund ta vazhdojë misionin e ri.

Megjithatë, delegati nga Skenderaj, Ramiz Shala ia kundërpërgjigj Hoxhajt dhe Kuçit, duke iu thënë se së pari duhet forcuar degët nëpër komunat prej nga vinë, pastaj të mbajnë ligjërata.
Por, Shala ka thënë se Dega e Partisë Demokratike në Skenderaj nuk do të jetë më pista e kandidatëve të cilët nuk mund të fitojnë vota në degët e tyre, duke theksuar se një gjë të tillë e kanë bërë për ish-kryetarin e PDK-së Hashim Thaçi, por nuk do të sigurojnë vota për kryetarin e sapo zgjedhur Kadri Veseli.

Kurse, deputeti Nait Hasani ka deklaruar se partia nuk do të ndërtohet me njerëz të pazëvendësueshëm, pasi të pazëvendësueshëm kanë qenë vetëm liderët komunist.

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka paralajmëruar një debat brenda PDK-së, por edhe me qytetarë, duke u angazhuar maksimalisht që të sigurojë fitore të tjera dhe të marrë përgjegjësi të tjera për ndryshimet të reja.
Ai ka thënë se ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës ishin provokime, megjithatë ka falënderuar deputetët e PDK-së për pjekurinë e tyre duke mos lejuar që Kuvendi i Kosovës të shndërrohet në një kasaphane.

Konventa vazhdoi me tentimin për ta ndryshuar statutin, por kjo pikë mbeti për mbledhjen tjetër. Në konventë është lexuar dhe miratuar edhe një deklaratë politike. Ndryshe në këtë konventë është aprovuar edhe propozimi i Agim Çekut që të vihet një mirënjohje për ish kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin.

Temat
LajmeVend

Të afërta