Thaçi flet për ‘momentin’ e djeshëm me Haradinajn

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dje shkëmbyen përshëndetje dhe cakërruan gotën në ceremoninë për pritjen e përfaqësueses së Lartë të BE-së për Çështje të Jashtme, Frederica Mogherini.

I pyetur për këtë takim, Thaçi, pa dhënë detaje rreth takimit, tha se sukseset dhe interesat nacionale i bashkojnë njerëzit.

Madje Thaçi tha se anëtarësimi në UEFA dhe marrja e rekomandimit të liberalizimit të vizave është sukses i përbashkët i pozitës, po ashtu edhe i opozitës.

“Vlerësoj se dy lajmet e mira që kanë qenë – apo të jashtëzakonshme dhe historike, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe liberalizimi i vizave, ka shënuar edhe një moment të ri të aktivitetit të skenës politike në Kosovë. Gjërat që janë në interes nacional i bashkojnë të gjithë, prandaj si president i vendit – çdo iniciativë, çdo komunikim do ta forcojë, do ta fuqizoj, sepse vetëm uniteti dhe puna e përbashkët janë ato që na çojnë përpara. Kur kemi punuar bashkë gjithmonë kemi fituar, prandaj jemi duke shënuar rezultate të reja… Edhe anëtarësimi në UEFA, por para së gjithash, procesi i rekomandimit të liberalizimit të vizave, ka qenë rezultat i punës së përbashkët, i pozitës dhe opozitës”, ka thënë presidenti.

Thaçi tha se mesazhi më i mirë i harmonisë politike, ishte pjesëmarrja e të gjithë deputetëve në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës për pritjen e Mogherinit.

Temat
LajmeVend

Të afërta