Hoxhaj: Nesër Konventa e PDK-së, Kadri Veseli pa kundërkandidat

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pritet që nesër të nis Konventën e saj të Shtatë, gjatë së cilës do të zgjidhet kryetari i ri i partisë.
Enver Hoxhaj, zyrtar i PDK-së ka thënë gjatë një konference se deri më tani për të parin e partisë ka konkurruar vetëm një person, e ai është Kadri Veseli, raporton Indeksonline.

“Konventa e shtatë e jashtëzakonshme do të jetë konventë dy ditore. Deri më tash kemi vetëm një kandidat për kryetar, e çdo anëtar ka mundur të konkurroj, ka qenë gara e hapur dhe cdo kush ka mundur ta ofroj platformën e tij, mirëpo deri sot kemi vetëm një kandidat”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka theksuar se në ditën e parë të Konventës do të dilet me një kandidat, e nëse ka të interesuar tjerë për këtë post, mund të paraqiten nesër.

“Ne do ta kemi nesër një debat për zhvillimet në vend, do të kemi zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe do të kemi plotësime e ndryshime të statusit të partisë, që është parë se duhet të ndryshohet diçka. Ditën e dytë të Konventës kryetari do të mbajë një fjalim ku do ta paraqes platformën e tij për vitet e ardhshme”, ka theksuar Hoxhaj.

Ai ka bërë të ditur se ditën e parë të Konventës janë të ftuara edhe disa Organizata Joqeveritare që merren me vëzhgimin e zgjedhjeve të brendshme.
Ndërsa duke folur për aksionin e sotëm të policisë dhe se a është PDK në listën e uzurpatorëve, Hoxhaj ka thënë se nuk ka shikuar lajme sot. Megjithatë, ai ka thënë se do të respektojnë cdo vendim që merr gjyqësia në Kosovë.

“Nuk dua të jap kurrfarë mendimi të gabuar, pasi që nuk jam edhe aq i informuar”, ka thënë Hoxhaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta