A po paguhet 3 mijë euro Donika në Vetëvendosje?

Në një video e cila po qarkullon në rrjetin social Facebook, paraqitet një kontratë në të cilën shkruan se ish-deputetja e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi kalon në subjektin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë dokument të cilin e ka shpërndarë faqja “Albanian Real Facts of Life” të cilët pretendojnë se ua ka dërguar një aktivist i VV-së, shkruan se paga mujore e deputetes Kadaj-Bujupi është 3000 euro, transmeton Telegrafi.

E lidhur me këtë ka reaguar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi i cili ka thënë se kjo është thjeshtë një montim .

Ai ka thënë se sapo të kuptojnë se kush qëndron pas kësaj do ta padisin për shpifje, falsifikim dhe montim.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me Donika Kadaj-Bujupin mirëpo ajo nuk ka dashur të prononcohet duke thënë se për këtë ka reaguar zëdhënësi Frashër Krasniqi.

Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

Po qarkullon një video e montuar se gjoja VETËVENDOSJE! paska bërë një kontratë sekrete me Donika Kadajn. Faqja në facebook që e ka shpërndarë atë video të montuar dhe tërësisht të pavërtetë, ka shpërndarë edhe më herët propagandë të tillë shpifëse kundër Lëvizjes.
Ne sapo ta kuptojmë se kush qëndron mbrapa asaj faqeje do ta padisim për shpifje, falsifikim dhe montim. Asgjë në përmbajtjen e asaj videoje nuk është e vërtetë. As logoja e VETËVENDOSJE!-s, as nënshkrimi i Visar Ymerit dhe as përmbajtja e tekstit.

Temat
LajmeVend

Të afërta