Thaçi në takimin me diplomatët, diskuton për liberalizimin e vizave

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike në Kosovë.

Ai ka thënë se në muajin e parë në postin e të parit të shtetit të Kosovës ka treguar edhe se cilat do të jenë prioritetet në këtë detyrë të tij të re.
“Sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, bashkëpunimi rajonal, anëtarësimi në NATO dhe në BE janë fushat në të cilat do të angazhohem më së shumti. Këto janë edhe aspiratat e vetë qytetarëve të Kosovës, që të jetojnë në dinjitet dhe prosperitet”, ka thënë presidenti Thaçi, transmeton Indeksonline.
“Nuk ka dyshim që Kosova ka shënuar progres të madh në 8 vitet si shtet”, është shprehur ai, duke shtuar se nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e MSA-së, si dhe marrja e statusit të kandidatit për “Millennium Challenge Corporation” të Kongresit Amerikan janë konfirmim i këtyre të arriturave.
Anëtarësimi i djeshëm në UEFA, ambiciet për medalje në Lojërat Olimpike, por edhe rekomandimi për liberalizim të vizave, sipas presidentit Thaçi, janë gjithashtu disa nga lajmet tjera të mira që po i përjetojmë apo që po i presim me padurim.

Temat
LajmePërgjithshmeVend

Të afërta