Shoqatat e luftës kërkojnë datë kombëtare për dëshmorët

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kërkojnë që 5 maji edhe zyrtarisht të shpallet Ditë e Dëshmorëve.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e tri shoqatave, asaj të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve, kanë thënë se kjo kërkesë e tyre është e ligjshme dhe kërkojnë nga institucionet që 5 maji të shpallet ditë zyrtare e vitit.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Jashari, tha se arsyet kryesore që 5 maji të shpallet Ditë e Dëshmorëve është se kjo ditë është zyrtare edhe në Shqipëri.

“Arsyeja që 5 maji të jetë dita kombëtare e dëshmorëve të kombit zyrtarisht nga Kuvendi Republikës së Kosovës në radhë të parë janë arsyet historike. Dita e dëshmorëve të kombit është festë zyrtare në Shqipëri me këtë raste nderohen të gjithë dëshmorët e kombit kudo dhe kurdo që kanë rënë për liri n e atdheut. Në Shkup është cilësuar festa zyrtare e 5 majit, dita e dëshmorëve të kombit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Përkundër kërkesave të shoqatave të dala nga lufta dhe organizatës së veteranëve deklarimet të institucioneve shkencore dhe kulturore, përkundër shkrimeve të shumta të intelektualëve të dijës, heshtja ka shërbyer si përpjekje që të tejkalohet kjo terkes pa i dhënë përgjigje legjitime”, tha Jashari.

Sipas tij nëse kjo kërkesë e tyre nuk pranohet ata do të gjejnë edhe forma tjera që qëllimi i tyre të realizohet.

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka përkrahur këtë kërkesë duke thënë që ende ka nevojë që të kujtohet gjaku i dëshmorëve dhe shëmbëlltyra e tyre.

Temat
LajmeVend

Të afërta