Homologia nga Shqipëria uron Bekim Çollaku për rekomandimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian e Shqipërisë, Klajda Gjosha, ka uruar ministrin e integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku, përmes një thirrje telefonike për rekomandimin e Komisionit Evropian për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ajo ka theksuar se Shqipëria i është gëzuar këtij vendimi që i hapë rrugën qytetarëve të Kosovës të lëvizin pa viza në zonën Schengen, dhe e ka përgëzuar ministrin për punën e bërë në zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe përmbushjes së kritereve.

Ministri Çollaku ka falënderuar përzemërsisht  ministren Klajda Gjosha për urimin dhe i ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Ai ka shprehur përkushtimin  e Qeverisë edhe në pjesën përfundimtare të vendimmarrjes nga ana e institucioneve të BE-së dhe bindjen e thellë që edhe Kosova do t’i bashkëngjitet Shqipërisë dhe rajonit së shpejti edhe në këtë drejtim.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës gjithashtu do të gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza si të gjithë qytetarët e rajonit”, ka thënë ai.

Ministri po ashtu ka thënë se mirëpret bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë edhe në fusha të tjera të reformave evropiane në mënyrë që të avancohet ecja e përbashkët drejt qëllimit të anëtarësimit në BE.

Temat
LajmeRajonVend

Të afërta