Feronikeli dhe Hajvalia vazhdojnë luftën për titull

Feronikeli, Hajvalia dhe Drita shënuan fitore si vendas, ndërsa Istogu dhe Prishtina morën pikët e plota si mysafirë të Lirisë, gjegjësisht Drenicës.

Feronikeli ka bërë një hap të madh drejt mbrojtjes së titullit të kampionit në Superligën e Kosovës në futboll. Drenasit triumfuan me rezultat 3-1 kundër skuadrës pejane të Besës.

Diar Miftaraj (39’) kaloi në epërsi skuadrën e Feronikelit nga pika e bardhë. Por, Mark Milicaj (51’) u përkujdes për të barazuar rezultatin nga goditja e dënimit prej rreth 35 metrave. Në vazhdim kampioni i Kosovës realizoi edhe dy gola. Fillimisht, Mendurim Hoti (56’) shënoi gol me kokë nga afërsia e portës, ndërsa Përparim Livoreka (87’) mbylli ndeshjen dhe siguroi fitoren e Feronikelit, 3-1.

Edhe pretendenti tjetër për titull, Hajvalia ka shënuar fitore me rezultat 1-0. Golin e vetëm për vendasit e shënoi Sergio Da Luiz (21’).

Fitore të madhe në luftën për mbijetesë shënoi skuadra e Dritës kundër Vushtrrisë. Gjilanasit triumfuan me rezultat 3-1. Golat për Dritën shënuan Alban Shillova (13’, 54’) dhe Shqipërim Kelmendi (56’). Golin e vetëm për vushtrriasit e shënoi Daut Maxhuni (38’).

Liria para shikuesve të vet ka pësuar humbje me rezultat minimal prej 1-0 kundër Istogut. Kur pritej që ndeshja të përfundonte pa gola, ishte Besmir Fetahu (85’), ai i cili u përkujdes për fitoren e mysafirëve të Istogut.

Pothuajse e njëjta gjë ndodhi edhe në stadiumin “Bajram Aliu” të Drenicës. Kjo e fundit pësoi humbje me rezultat 1-0 kundër skuadrës së Prishtinës. Golin e fitores për prishtinasit e shënoi në të 90-tën minutë, Dren Gashi.

Temat
SportVend

Të afërta