Familjarët e rastit “Sopot”: Shqiptarë, të dalim të gjithë në protestat e 9 Majit për Drejtësi!

Përkrahja për protestën e 9 Majit në Shkup sa vjen dhe shtohet, së fundmi edhe familjarët e rastit të montuar politik “Sopot”, e kanë përkrahur këtë protestë, kurse në emër të tyre ka folur Shaban Limani.

“Rasti i montuar politik “Sopot” ende gjendet në labirintet e gjykatave, edhe pse dihet botërisht se është i montuar. Ende po vuajmë familjarisht nga ky proces i montuar duke shkuar vazhdimisht në gjykata, ndërkohë që dihet që gjithçka në këtë rast është inskenim klasik. Pra, ende i ndjejmë pasojat e gjyqësorit tërësisht të politizuar dhe instrumentalizuar, andaj o ne o kush kemi arsye për të protestuar, prandaj përkrahim familjarisht protestën e 9 Majit për Drejtësi. Po ashtu, i ftojmë të gjithë shqiptarët të dalin në këtë protestë për të kërkuar Dinjitetin e humbur dhe të nëpërkëmbur si komb. Më 9 Maj duhet të dëshmojmë se shqiptarët dinë t’i kërkojnë të drejtat e tyre në mënyre dinjitoze dhe paqësore, deri në zgjidhjen e këtyre rasteve të montuara politike”, – thekson Shaban Limani, familjar i të dënuarve të rastit të montuar “Sopot”.

Ai shton se në Shkup në Ditën D – Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci më 9 Maj, do të dëgjohet qartë zëri i shqiptarëve, duke shtuar se ne duam barabarësi e liri, dhe njëherë e përgjithmonë t’u themi ndal rasteve të montuara ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

Ndryshe, në ditën e përvjetorit të ngjarjes në Kumanovë që përkon edhe me ditën e Evropës, Këshilli Opozitar ka paralajmëruar marshin protestues që do të shënojë këto dy ngjarje, i cili do të fillojë në ora 17:30 nga parku i Çairit dhe do të vazhdojë deri tek ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta