Eksperti i OSHP-së rekomandon anulimin e tenderit 8-milionësh

Eksperti shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Visar Basha, për shkak të shkeljeve të evidentuara gjatë procesit të prokurimit i ka rekomanduar Panelit Shqyrtues të OSHP-së ta anulojë tenderin 8-milionësh për ndërtimin e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë (QKUK), të shpallur nga Ministra e Shëndetësisë. Në ekspertizën e ekspertit shqyrtues, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se Autoriteti Kontraktues (AK), Ministra e Shëndetësisë (MSH), për këtë proces të prokurimit nuk i ka respektuar në tërësi dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).

“Prandaj eksperti shqyrtues i propozon Panelit Shqyrtues që ta anulojë vendimin e Autoriteti Kontraktues për dhënie të kontratës dhe ky aktiviteti i prokurimit të anulohet dhe njëherësh i propozon Panelit Shqyrtues që të aprovohen ankesat e operatorëve ekonomikë ankues si pjesërisht të bazuara”, thuhet në fund të ekspertizës së ekspertit shqyrtues.

Më tej në ekspertizë thuhet se Komisioni i Jashtëm Vlerësues ka konstatuar se prej 13 kompanive, që kanë qenë në garë, vetëm dy janë të përgjegjshme, ndërkaq të tjerat janë të papërgjegjshme. Komisioni ka konstatuar se oferta e kompanisë “Al Trade” me 7.9 milionë euro është ofertë e përgjegjshme me çmimin më të lirë. Ndërkaq oferta tjetër e përgjegjshme sipas Komisionit kishte qenë ajo e kompanisë “Gintag Instat Taahut ve Ticaret” me 9.2 milionë euro. /Zëri/Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta