Ymeri: Liberalizimi lajm i mirë, por nuk i zgjidh problemet

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka deklaruar se nëse nesër ndodh rekomandimi për heqjen e vizave për Kosovën, do të ishte lajm pozitiv. Megjithatë, thotë se nuk është fundi i procesit, por avancimi në një stad të ri për procesin.

Ai thotë se kjo ka qenë një padrejtësi, e cila i është bërë qytetarëve të vendit dhe se kjo duhet hequr sa më parë.

“Lajmi për liberalizimin e vizave për qytetaret e Kosovës, nëse ky lajm është pozitiv që pritet të jetë gjatë ditëve në vijim. Natyrisht se do të jetë një lajm i mirë, për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ka qenë një padrejtësi e gjatë në kohë, që i është bërë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky kufizim i lëvizjes së lirë për vendet e zonës Shengen dhe mendoj që heqja e vizave, ka potencial që t’i lehtësojë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë për vendet e BE-së, dhe t’ua lehtësojë komunikimin me këto vende me zhvillimet politike, ekonomike atje, që do të jenë të dobishme për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, duhet ta kemi parasysh që reko mandimi eventualisht pozitiv i komisionit nesër, që duhet presim ta shohim nëse është pozitiv, nuk është fundi i procesit, por fillimi ose avancimi në një stad të ri për procesin. Sepse për t’u bërë liberalizimi i vizave realitet, duhen të gjitha vendet anëtare, njëkohësisht ta miratojnë këtë rekomandim të KE-së, dhe pastaj qytetarëve të Kosovës do t’u liberalizohen vizat”, thotë ai për KP.

Ai shtoi se as liberalizimi nuk i heq problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e varfër të këtij vendi, të cilët me këtë gjendje ekonomike, e kanë të vështirë të udhëtojnë për në vendet e BE-së.

“Liberalizimi i vizave jo domosdoshmërisht e garanton mundësinë për lëvizje të lirë. Sepse se për të udhëtuar nevojiten para dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, shumica prej të cilëve jetojnë në varfëri, apo shumica prej të cilëve mezi ia dalin që ta lidhin muajin me muajin, me pagat apo të ardhurat që i kanë. Nuk është që do ta ketë kushedi çfarë mundësie që të vizitojnë shumë vende të BE-së. Sidoqoftë ky regjim i vizave që ka qenë i aplikuar deri tani për Republikën e Kosovës, i cili është hequr më herët për vendet tjera të rajonit, ka qenë një lloj diskriminimi në bazë të shtetësisë. Ky lloj diskriminimi, natyrisht se duhet të hiqet sepse qytetaret e Kosovës, nuk meritojnë të jenë të diskriminuar”, thotë ai.

Ndryshe, Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë për KosovaPress se procedurat deri tek lëvizja e lirë, mund të marrin disa muaj dhe se kjo dinamikë, varet nga veprimet e brendshme të Bashkimit Evropian. Ai shprehet i sigurt që qytetarët do të lëvizin lirshëm për në vendet e BE-së, brenda këtij viti./Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta