Para një jave iu thyen xhamat e lokalit, sot u gjuajtën me bombë (Video)

Gjatë ditës së sotme në një lagje të Prishtinës është njoftuar për shpërthimin e një bombe. Nga ky shpërthim janë dëmtuar dy vetura dhe dritaret e një lokali. Fatmirësisht nga ky shpërthim nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Ndërsa banori i kësaj lagje, Valton Makolli ka kërkuar nga organet e rendit që sa më shpejt të zbardh detajet e këtij sulmi.

“Rreth orës 14:50 minuta ka ndodhë një rast te shtëpia e pleqve dhe te çerdhja e fëmijëve këtu, ka kris një bombe, kështu që sot rreth orës 8:00 kur kam ardhë ta hapi dyqanin i kam lajmëruar policinë dhe janë ardhë por kisha dashur prej shtetit sa më shpejt ta zbulojnë rastin. Unë nuk kam probleme me askënd.. janë edhe dy vetura, një Astra edhe një Audi që kanë dëme kogja të mira dhe dëme të lokalit, xhamat që kanë kris”, tha ai.

Përkundër asaj që banorët thonë se cak i sulmit ka qenë familja me mbiemrin Xhemshit, Amir Xhemshiti ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë për KosovaPress se nuk kanë probleme me askënd.

“Para një jave na u janë thyer xhamat e lokalit, sot është gjuajtur një bombe, ku po thonë se cak i sulmit janë ka qenë familja jonë, ne borxh nuk i kemi askujt por besoj që institucionet e Kosovës do ta zbardhin rastin sa më shpejt dhe besoj që do të dal e vërteta e këtij rasti”, tha ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta