Kryeministri Mustafa u takua me homologun hungarez, Viktor Orban

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në Budapest me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në Budapest me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, u bisedua për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, për përkrahjen e Hungarisë për Kosovën si dhe çështje tjera të interesit të përbashkët.

Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë, për hapat e Qeverisë në zhvillimin ekonomik dhe reformat tjera për fuqizimin e shtetit.

Kryeministri Mustafa veçoi rëndësinë e hyrjes në fuqi dhe fillimit të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit si dhe përmbushjen e kritereve dhe rekomandimeve nga Kosova për liberalizimin e vizave.

“Sa i takon liberalizimit të vizave tashmë kemi përmbushur çdo kërkesë dhe presim që shumë shpejtë institucionet e BE-së të japin rekomandimin pozitiv për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së. Kosovarët e meritojnë që kjo e drejtë t’iu mundësohet sa më parë, pasi që një gjë e tillë do të ketë impakte pozitive për zhvillimin e gjithmbarshëm në Kosovë dhe më gjerë”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e deritashme të Hungarisë, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e ka përgëzuar për progresin duke theksuar përkrahjen e Hungarisë për proceset zhvillimore dhe eurointegruese të Kosovës.

Kryeministri Orban, po ashtu, theksoi vullnetin e Hungarisë për thellimin e bashkëpunimit dhe për të ndihmuar Kosovën në fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar transmeton Zëri.

Gjatë takimit, bashkërisht u vlerësua se ka hapësirë dhe interes për bashkëpunim ekonomik në fushën e bujqësisë dhe të procesimit të produkteve bujqësore, në menaxhimin e ujërave si dhe në shkollimin e kuadrove të nevojshme në universitetet hungareze.

Kryeministri Isa Mustafa e ftoi homologun Orban ta vizitojë Kosovën.

Gjatë vizitës në Hungari, kryeministri Isa Mustafa, u takua edhe me kryetarin e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Parlamentin hungarez, njëherësh zëvendëskryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Zsolt Nemeth.

Kryeministri Mustafa kërkoi mbështetjen e mëtejshme të Hungarisë për Kosovën, duke përfshirë anëtarësim në organizatat rajonale e evropiane.

Zsolt Nemeth, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe avancimin e proceseve integruese evropiane, duke shprehur përkrahjen e Hungarisë për proceset eurointegruese dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale, evropiane dhe më gjerë.

Temat
LajmeVend

Të afërta