Tri nga 4 partitë kryesore në Maqedoni e kanë informuar Këshillin e Europës se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit, nëse nuk përmbushen kushtet për zgjedhje demokratike.
Këtë e ka bërë të ditur Stefan Schennach, kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, që në dy ditët e kaluara ka vëzhguar klimën parazgjedhore në Maqedoni.
“Tashmë dihet, që 3 nga 4 partitë kryesore nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit, nëse nuk plotësohen parakushtet, nuk zbatohet marrëveshja për zgjidhjen e krizës, apo nuk bëhet pastrimi i listës zgjedhore”, tha Stefan Schennach, kryesues i delegacionit të Këshillit të Europës.
Përfaqësuesi i KiE-së nuk ka përmendur emrat e partive që mund të bojkotojnë zgjedhjet, megjithatë, aktualisht vetëm partia VMRO-DPMNE e Nikola Gruevskit vlerëson se vendi është i gatshëm për të shkuar në zgjedhje. Përfaqësuesit e KiE-së kanë ftuar palët që të ulen përsëri bashkë, për të vendosur nëse do të shtyhet apo jo data e zgjedhjeve.