Gjermania dëbon në Serbi familjen nga Kosova

Në mes të mërkurës dhe të enjtes është dëbuar nga qyteti gjerman Twist, për në Serbi familja rome kosovare Mehmedi, gjegjësisht kryefamiljarja e saj Sheret Mehmedi dhe pesë fëmijët.

Kjo familje jetonte prej 25 vjetësh në Gjermani, shkruan “Meppener Zeitung”, transmeton albinfo.ch. Nëna e pesë fëmijëve, e lindur në vitin 1980, jetonte në Gjermani që nga viti 1991, kur kishte ardhur për t`iu bashkuar familjes.

Ajo ka thënë për gazetën gjermane se ka frikë të madhe, pasi që në Serbi nuk e ka asnjë të njohur dhe nuk e njeh as gjuhën serbe.

Ajo thotë se nuk ka punuar asnjëherë pasi që vazhdimisht ka pasur fëmijë të vegjël për të cilët është dashur të kujdesej.

Ndërkohë që pritej se më 27 prill do të kishin një intervistë te autoritetet për të huaj, vjen lajmi se familja tashmë ishte dëbuar për në Serbi, transmeton albinfo.ch. Më e keqja është se familja e madhe nuk ka asnjë vend për t`u strehuar atje, nuk e njeh gjuhën dhe po ashtu nuk ka të holla.

Një zëdhënëse e qarkut ku jetonte familja Mehmedi ka thënë për gazetën se zonja në fjalë ka deklaruar se është rome nga Kosova dhe se në Gjermani ka ardhur në vitin 1991.

Në vitin 1992 asaj i qe refuzuar kërkesa për azil. Për pasojë, ajo e kishte vendimin për të lëshuar Gjermaninë qysh atëherë. Mirëpo Mehmedi disa herë radhazi ka hyrë në ilegalitet.

Në qark po ashtu thonë se ajo në vitin 1999 sërish ka bërë një kërkesë për azil, ndërsa Zyra Federale për Refugjatë ka refuzuar fillimin e një procedure të re të azilit. Herën e fundit ajo ka bërë një kërkesë për azil edhe në vitin 2010, e cila i është hedhur poshtë në mënyrë të plotfuqishme nga zyra në fjalë.

Njësoj janë hedhur poshtë edhe kërkesat e azilit për fëmijët e saj. Si përfundim, thotë zëdhënësja, familja Mehmedi plotëson të gjitha kushtet për t`u kthyer.

Temat
LajmeVend

Të afërta